Tensionet me Kosovën, ministri serb u kërkon ndërkombëtarëve të veprojnë ndaj qeverisë së Kurtit
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç, ka deklaruar se administrata amerikane është e qartë në dënimin e politikës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se Beogradi dëshiron të shohë veprime “më energjike” nga përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare në Kosovë.
“Është mirë të thuhet se janë kundër masave të njëanshme, por nëse Kurti shkon më tej, është e nevojshme që KFOR-i, EULEX-i dhe të tjerët të përdorin kompetencat e tyre”, tha ai.
Duke folur për situatën në lidhje me hapjen e urës në Ibër, Gjuriç pretendoi se Kurti po bën gjithçka që të ndryshojë situatën në Kosovë nga vjeshta e vitit 2021 në dëm të popullit serb.
“Ai po punon për eliminimin e plotë të institucioneve serbe dhe këtë po e bën për arsyet e tij politike, sepse po përpiqet të profilizohet si politikan kombëtar i të gjithë shqiptarëve në rajon, tentakulat e tij mund të shihen edhe në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi. Partia e tij nuk është e zakonshme, ajo është një lëvizje radikale që është e aftë në propagandë dhe që përfaqëson një politikë të errët etno-nacionaliste, që mund të thuhet është futur një regjim aparteidi për serbët”, tha ministri serb.
“Mendoj se është shumë keq që një ekstremist si Kurti i lejohet të përdorë konventën demokratike në SHBA si platformë për promovimin e informacioneve të rreme dhe të pavërtetave për ngjarjet në rajonin tonë”, tha Gjuriç.

