Lukashenko bën thirrje për negociata ruso-ukrainase
Udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka bërë thirrje sërish për negociata në dritën e ofensivës së Ukrainës në rajonin kufitar rus të Kurskut.
“Ne duhet të ulemi në tryezën e negociatave dhe t’i japim fund kësaj mosmarrëveshjeje. As ukrainasit, as rusët dhe as bjellorusët nuk kanë nevojë për kaos”, theksoi Lukashenko në një intervistë me kanalin televiziv shtetëror rus Rossiya.
Bjellorusia është aleate e Rusisë dhe mbështet Moskën në luftën e saj kundër Ukrainës. Në fillim të luftës, vendi vuri në dispozicion territorin e tij për trupat ruse për të pushtuar Ukrainën veriore.
Në të njëjtën kohë, autoritari Lukashenko ka ofruar vazhdimisht shërbimet e tij si ndërmjetës për bisedimet e paqes.
Ai theksoi gjithashtu ”se Perëndimi, dhe veçanërisht përfaqësuesit e lartë të Shteteve të Bashkuara, janë të interesuar për një përshkallëzim të konfliktit. Ata duan që ne të shkatërrojmë njëri-tjetrin”.

