Grossi: IAEA nuk është në gjendje të përcaktojë shkakun e zjarrit në centralin e Zaporizhias

Ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë shkakun e zjarrit në centralin bërthamor në Zaporizhia, në qytetin jugor të Ukrainës, Enerhodar.

Zjarri shpërtheu të dielën në sistemin e ftohjes së centralit – ndersa Rusia dhe Ukraina kanë fajësuar njëra-tjetrën për incidentin.

Kreu i IAEA-s, Rafael Grossi, tha se ekspertët hynë në zonën e sistemit ftohëse të hënën.

“Ata vlerësuan se nuk kishte gjasa që burimi kryesor i zjarrit të kishte filluar në bazën e kullës ftohëse”, tha ai.

“Gjatë vizitës së ekipit në kullën ftohëse, u përcaktua se dëmi ka shumë të ngjarë të përqendrohej në brendësi të kullës në nivelin e shpërndarjes së grykës së ujit, i vendosur afërsisht 10 metra i lartë”, tha Grossi.

Ekspertët nuk ishin në gjendje të hynin në nivelin e shpërndarjes së grykës së ujit ose në bazën e kullës ftohëse, për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

“Mostrat e mbeturinave, duke përfshirë plastikë të djegur dhe të shkrirë, ishin mbledhur nga vendi”, tha Grossi.

“Era e vazhdueshme nga zjarri u vlerësua nga ekipi dhe u përcaktua se në mungesë të një ere squfuri, ka më shumë gjasa të ishte shkaktuar nga djegia e plastikës”, tha ai.

Sipas versionit rus, zjarri u shkaktua nga një dron luftarak. Ndërkohë nga pala ukrainase, kreu i administratës ushtarake në Nikopol, jo shumë larg centralit të kontestuar, citoi burime të paidentifikuara – sipas të cilave rusët i kishin vënë flakën gomave të makinave në kullën ftohëse.

Grossi theksoi se siguria bërthamore e centralit nuk është cenuar, pasi kullat ftohëse nuk janë aktualisht në funksion dhe nuk kërkohen si pjesë e mekanizmit ftohës për reaktorët, të cilët janë të gjithë në një gjendje mbylljeje të ftohtë.