Vuçiç kundër hapjes së urës mbi ibër/ Presidenti serb thirrje KFOR: Mos lejoni hapjen e urës, shkak përçarje
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka bërë thirrje KFOR që të mos lejojë hapjen e urës mbi lumin Ibër në Kosovë me pretendimin se do të shkaktojë përçarje edhe më të madhe ndaj dy vendeve. Këto deklarata vijnë në kohën ku Kryeministri Albin Kurti ka shprehur nevojën e hapjes së kësaj ure për qarkullimin e automjeteve ndërsa prej ditësh komuniteti serb mban protesta kundër punimeve.
Ura mbi lumin Ibër në veri të Kosovës është bërë sërish kryefjalë mes zyrtarëve të lartë të Serbisë dhe Kosovës.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç është shprehur se pret hapjen e urës, më 14 ose 15 gusht, si dhe instalimin e liderëve të rinj serbë në këtë vend nga agjencitë e huaja, pa ofruar ndonjë dëshmi.
Këto deklarata vijnë në kohën ku Kryeministri Albin Kurti ka shprehur nevojën e hapjes së kësaj ure për qarkullimin e automjeteve ndërsa prej ditësh komuniteti serb mban protesta kundër punimeve.
Aktualisht ura është e kalueshme vetëm për këmbësorët, ndërsa administrohet nga karabinierët italianë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Presidenti serb gjithashtu apeloi ndaj KFOR-it që të mos lejojë hapjen e urës.Ai ka pretenduar që figurat e reja serbe, që sipas tij, do të instalohen në Kosovë, “do t'i portretizojnë si trima edhe pse nuk janë, dhe do të përpiqen t'i ndajnë nga Beogradi” dhe që ata t’i përgjigjen kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
“Më lejoni t'ju them menjëherë se nuk do të funksionojë”, ka thënë Vuçiq në një konferencë për media, pa përmendur në mënyrë specifike ndonjë agjenci.
Përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it në Kosovë, kanë thënë publikisht se nuk mbështesin hapjen e urës në këtë kohë. Kundër hapjes së urës ka dalë dhe Bashkimi Evropian duke theksuar se Prishtina zyrtare nuk duhet të marrë "vendime të njëanshme". Kosova dhe Serbia janë pajtuar për hapjen e urës, fillimisht më 2015, më vonë më 2016, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian. Hapja e saj është zvarritur disa herë, dhe faktori ndërkombëtar kërkon që kjo çështje të jetë sërish temë dialogu.
