Gjykata rrëzon Trump/ Gjyqtarja: Nuk do të pushohet cështja për ndërhyrje në zgjedhjet 2020

Një ditë pasi cështja e ndërhyrjes së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale 2020 u rikthye në gjykatën federale, vendimi i parë u mor kundër republikanit. Trupa rrëzoi kërkesën e tij për të pushuar cështjen, ndërsa seanca e radhës pritet më 16 gusht.

Gjykata ka rrëzuar kërkesën e Donald Trump për të pushuar cështjen e ndërhyrjes në zgjedhjet e vitit 2020.

Kreu I trupës, Tanya Chutkan argumentoi se ekipi ligjor i republikanit nuk kishte ofruar asnjë provë konkrete për pretendimet se ish-presidenti ishte ndjekur penalisht për qëllime hakmarrëse dhe politike.

Trump është akuzuar se ka udhëhequr një përpjekje të gjerë për të rrëzuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale që humbi, por e ka mohuar dhe ka pretenduar se administrata e Joe Biden qëndron pas prokurorisë.

Çështja u kthye në gjykatën federale në Uashington DC të premten, pas një vendimi të të Gjykatës së Lartë që arriti në përfundimin se ai kishte imunitet të pjesshëm nga ndjekja penale.

Ndër të tjera, avokatët e tij sugjeruan se kundërshtarët politikë të Trump kishin nisur ndjekjen penale për ta penguar të fitonte garën e nëntorit.

Nga ana tjetër, në vendimin e gjyqtares theksohet se kandidati republikan nuk u akuzua thjesht për kundërshtimin e rezultateve, por sepse ka bërë deklarata të rreme me vetëdije për të nxitur komplotet kriminale dhe për pengimin e procedurave të certifikimit të zgjedhjeve amerikane 2020.

Ajo kritikoi gjithashtu avokatët për keqinterpretimin e lajmeve që ata cituan në mocionin e tyre, duke shtuar se e kishin gabim që prokuroria kishte një motiv politik.

Prokurorët federalë akuzojnë Trump se u bëri presion zyrtarëve për të ndryshuar rezultatet, duke përhapur me vetëdije gënjeshtra për mashtrime zgjedhore dhe u përpoq të shfrytëzonte trazirat e Kapitolit më 6 janar 2021 për të qëndruar në pushtet.

Mbi të rëndojnë 4 akuza penale, duke përfshirë komplot për të mashtruar SHBA-në dhe komplot kundër të drejtave të qytetarëve, teksa seanca e radhës pritet më 16 gusht për të diskutuar hapat e ardhshëm në këtë çështje.