Dëmtimi i papritur i Taremit, plani i Interit për merkaton

5 gola (dy dygolësha) në miqësoret parasezonale, kundër Luganos, Pergoletteses dhe Las Palmasit, ishin një kartëvizitë e shkëlqyer për Mehdi Taremin në prezencat e tij të para me Interin.

Ku sulmuesi iranian shfaqi jo vetëm aftësinë për të shënuar por edhe atë për t’u integruar shpejt e më së miri te zikaltërit e Simone Inzaghit.

Por 32-vjeçari ka pësuar një dëmtim që e vë në rrezik për ndeshjen e parë të kampionatit italian, në program në datën 17 gusht në “Marassi” kundër Genoas.

Rezultati i rezonancës së parë thekson një “ngarkesë muskulore në kofshën e majtë”. Javën e ardhshme Taremi do t’i nënshtrohet të tjera ekzaminimeve, që mund ta ndalin për rreth 15 ditë.

Marcus Thuram është rikthyer dhe ka nisur stërvitjen dy ditë para përfundimit të lejes së dhënë nga klubi. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me kapitenin Lautaro Martinez, të cilin e presin në Milano me 8 gusht.

Dëmtimi i Taremit, i cili në 5 sezonet e fundit është ndalur vetëm një herë për probleme muskulore, nuk parashikon të sjellë ndërhyrje të reja në merkato.

Një afrim i ri në sulm, mund të ndodhë vetëm në rast të largimit të njërit mes Correas ose Arnautovicit. Nëse për argjentinasin fati për t’u larguar duket i shkruar, austriaku nuk është zyrtarisht në shitje.

Por me mbërritjen e goleadorit pers është kthyer në zgjedhjen e katërt për Inzaghin. Nëse do të kërkojë largimin, drejtuesit do të vlerësojnë ofertat që do të vijnë.

Pasi për momentin ka patur vetëm ndonjë sondazh nga Turqia. Gudmundsson mbetet ëndrra për repartin ofensiv të kampionëve të Italisë, por këtu ekziston “kërcënimi” Fiorentina, që është hedhur seriozisht në sulm për islandezin.