“PARIS 2024”, REKORD BOTËROR NË NOT/ Pan Zhanle thyen rekordin në 100 metra stil i lirë

Kinezi Pan Zhanle vendosi një rekord të ri në Olimpiadën e Parisit. 19-vjeçari fitoi medaljen e artë olimpike në 100 metra stil i lirë, duke vendosur kohën 46.4 sekonda. Kështu, Zhanle theu rekordin e mëparshëm, të vendosur nga po vetë ai, në Kampionatin Botëror të Katarit.

Një rekord i ri absolut u vendos në këtë edicion të Lojërave Olimpike që po mbahen në kryeqytetin francez. Notari kinez, Pan Zhanle fitoi medaljen e artë olimpike, në 100 metra stil i lirë, duke vendosur një rekord të ri.

19-vjeçari e mbylli garën me kohën 46.40 sekonda. Distanca mes tij dhe vendit të dytë, që u fitua nga austrialiani Kyle Chalmers ishte më shumë se një sekondë.

Një distancë e pabesueshme kjo në një garë kaq të shkurtër. Menjëherë pas Chalmers u rendit rumuni David Popoviçi, që ngjitet në shkallën e tretë të podiumit, duke siguruar medalje bronzi.

Nuk pati asnjë vështirësi për Zhanle, i cili u lëshua si një shigjetë dhe u shkëput që në 50-metërshin e parë me kohën 22.28 sekonda.

Ai shkatërroi çdo shpresë që mund të kishin Chalmers dhe Popoviçi për ta kapur atë, ku në pjesën e mbetur të garës u shkëput akoma më shumë.

Në këtë mënyrë, 19-vjeçari i cili të dielën e 4 gushtit feston ditëlindjen e tij të 20-të theu rekordin e mëparshëm, me 0.40 sekonda, të vendosur nga po vetë ai, në Kampionatin Botëror të Dohas në Katar, të zhvilluar gjatë muajit shkurt të këtij viti.