Conference League/ 7 skuadrat shqiptare mësojnë rivalët e mundshëm në raundin e tretë

Skuadrat shqiptare mësuan sot kundërshtarët e raundit të tretë në Conference League, me shortin që u hodh në Nyon të Zvicrës.

Ballkani, skuadra kampione në fuqi e Kosovës, në rast se do të kalojë Hamrun Spartans në turin e dytë, në të tretin do të përballet me Larne F.C të Irlandës së Veriut.

Egnatia, nëse arrin të kualifikohet përballë Vikingur të Islandës, në raundin e tretë të Conference League do të ketë si kundërshtar fituesen e çiftit Virtus A.C. – Flora Talin.

Kurse Struga, skuadra shqiptare kampione e Maqedonisë së Veriut, nëse eliminon Puynik, do të matë forcat me fituesen e çiftit Differdange – Ordabasy.

Partizani, që në raundin e dytë sfidon Iberian e Gjeorgjisë, në raundin e tretë do të përplaset me fituesin e çiftit Basaksehir – La Fiorita.

Sa i përket Llapit, nëse kalon danezët e Brondby, ekipi nga Podujeva do të përballet në raundin e tretë me fituesin e çiftit Legia Varshavë-Caernarfon Tawn.

Deçiq, skuadra kampione shqiptare e Malit të Zi, nëse kalon Dinamo Batumin, do të përballet në turin e tretë me fituesin e finlandezët e Helsinkit.

Në fund Drita, që sfidon islandezët e Breidablik, në raundin e tretë, gjithmonë nëse kualifikohet, gjen fituesin e Auda-Cliftonville.