Baerbock: Zgjerimi i arsenalit rus kërcënon lirinë tonë në Evropë

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka mbështetur vendosjen e raketave në distanca të gjata në Gjermani – për të penguar agresionin rus mes një debati brenda koalicionit trepalësh të vendit – mbi planet për të vendosur armë amerikane me aftësi bërthamore.

Në një intervistë për “Funke Media Group”, Baerbock tha se presidenti rus Vladimir Putin kishte zgjeruar vazhdimisht arsenalin me të cilin ai kërcënonte lirinë e vendeve në Evropë.

“Ne duhet të mbrojmë veten dhe partnerët tanë baltikë kundër kësaj, me anë të rritjes së armëve me rreze të gjatë”, tha ministrja gjermane.

Rolf Mützenich, kreu parlamentar i Partisë Socialdemokrate (SPD) të kancelarit Olaf Scholz, foli më herët për rreziqet që paraqesin këto armë, duke pasur parasysh – kohën e tyre jashtëzakonisht të shkurtër paralajmëruese.

“Rreziku i një përshkallëzimi të paqëllimshëm ushtarak është i rëndësishëm”, tha Mützenich.

Mützenich pranoi nevojën për të përmirësuar aftësitë e mbrojtjes, por tha se NATO është tashmë e pajisur me aftësi gjithëpërfshirëse parandaluese.

Shtëpia e Bardhë dhe qeveria gjermane njoftuan gjatë samitit të NATO-s më 9-11 korrik në Uashington se SHBA-ja do të vendoste sërish sisteme raketore që mund të arrinin Rusinë.

Këto përfshijnë raketa “Tomahawk” me aftësi bërthamore me një rreze veprimi prej 2500 kilometrash, raketa anti-ajrore “SM-6” dhe raketa hipersonike të zhvilluara rishtazi.

Baerbock tha se Rusia nën drejtimin e Putinit ishte tërhequr nga marrëveshjet e çarmatimit. “Ai synon të na frikësojë, të na vërë nën presion dhe të ndajë shoqëritë tona”, tha ajo.