Scholz: Libri i JD Vance më ka përlotur

Njeriu që Donald Trump ka zgjedhur të jetë zëvendësi i tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit është autori i një libri që kancelari gjerman Olaf Scholz e konsideroi “shumë prekës”.

Në librin e tij autobiografik të vitit 2016 “Hillbilly Elegy”, JD Vance përshkruan krizën e klasës punëtore në SHBA ndërsa industritë mbylleshin. Ai u bë një bestseller atje dhe Scholz ishte gjithashtu një fans i librit.

Por, Scholz ka kohë që ka pasur një pikëpamje më kritike për autorin, i cili dikur e kritikonte Trumpin, por më vonë u bë senator amerikan me mbështetjen e Trump. Vance, 39 vjeç, u shpall dje si zgjedhja e Trump për zëvendëspresident.

“Kjo është një histori personale shumë prekëse se si një i ri me kushte të këqija bën rrugën e tij”, tha Scholz për librin në një intervistë me gazetën ”Suddeutsche Zeitung”, në korrik 2023.

Scholz madje tha se libri e kishte përlotur, por se pozicionet që Vance mori më vonë ishin “tragjike”.

“Nga një kundërshtar i vetëshpallur konservator i Donald Trump, i cili ka një analizë të mprehtë për padrejtësitë e shoqërisë amerikane dhe gjen një rrugëdalje për veten e tij vetëm me fat dhe karrierën e tij ushtarake, Vance tani duket se është kthyer në një mbështetës të zjarrtë të këtij populisti të djathtë për të fituar mbështetjen e tij”, tha kancelari.

Megjithatë, Scholz shtoi se libri i Vance e kishte ndihmuar atë të kuptonte shkaqet e trumpizmit.

“Dhe gjithashtu më ndihmoi të mprehja të kuptuarit tim për atë që është e rëndësishme për politikën moderne, progresive, do të thosha socialdemokratike në shekullin XXI”, tha Scholz në intervistën e tij.

“Të gjithë ata që punojnë… duhet të mbeten të rëndësishëm. Ata duhet të kenë perspektivën e një të ardhmeje të mirë për veten dhe fëmijët e tyre”, thekson ai.