Çështja "Partizani"/ Kërkoi përjashtimin e 3 gjyqtarëve, Gjykata e Lartë rrëzon Berishën

Njoftimi për mediat:

Rrëzimin e kërkesës të paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha, me objekt: “Përjashtimin e gjyqtarit Ilir Panda, Sokol Binaj, Sandër Simoni, nga gjykimi i çështjes penale nr. 61007- 00370-00-2024, që i përket rekursit kundër vendimit nr. 85, datë 17.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar". Ky vendim t'i njoftohet kërkuesit Sali Berisha dhe gjyqtarëve Ilir Panda, Sandër Simoni dhe Sokol Binaj. Ky vendim është i formës së prerë.

Berisha akuzohet për korrupsion, së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi të cilët i kanë kundërshtuar akuzat. Më herët, Sali Berisha ka refuzuar masat e dhëna nga SPAK, atë të detyrimit të paraqitjes dhe të ndalimit të daljes jashtë shtetit, duke i konsideruar masat si antikushtetuese. Pas moszbatimit të këtyre masave, Struktura e Posaçme ashpërsoi masën e sigurisë për Berishën, duke e lënë në arrest shtëpie. Gjykata e Posaçme urdhëroi Berishën të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të në të njëjtën banesë, ndërsa për zbatimin e kësaj mase ngarkoi SPAK-un dhe shërbimet e policisë gjyqësore.