RUSIA NDËSHKON ARTISTET/ 6 vite burg për Berkovich e Petrichuk: Përkrahën terrorizmin me shfaqjen e tyre

Një gjykatë ruse ka mbyllur për 6 vjet në burg, një dramaturge dhe një regjisore me akuzën se përkrahën Shtetin Islamik, me shfaqjen “The Brave Falcon Finist”. Artistet e kanë quajtur gjyqin të padrejtë, ndërsa e kanë ankimuar vendimin. Disa mbështetës të 2 të dënuarave, pretendojnë se ndëshkimi vjen pas disa poezive të tyre, me qëndrim kundër për luftën në Ukrainë.

Një dramaturge dhe një regjisore ruse, u shpallën fajtore me akuzën e “përkrahjes të terrorizmit” nga një gjykatë ushtarake në Moskë.

Yevgenia Berkovich dhe Svetlana Petrichuk u dënuan me nga gjashtë vjet secila për realizimin e shfaqjes “The Brave Falcon Finist”, skifteri i guximshëm.

E bazuar në ngjarje të vërteta, shfaqja tregon historinë e disa grave ruse që udhëtuan në Siri gjatë luftës civile të vendit, për t'u martuar me anëtarë të grupit të Shtetit Islamik.

Sipas prokurorisë, me vënien në skenë të kësaj pjese, dy artistet krijuan një mendim pozitiv për Shtetin Islamik, e se madje shfaqja në vetvete përcillte një lloj të justifikimi të terrorizmit, raporton RBC.

Në seancat e para gjyqësore në fund të majit, Berkovich 39 vjeç, dhe Petrichuk 44 vjeç, thanë se qëllimi i vërtetë ishte në fakt kundërshtimi i terrorizimit dhe parandalimi i tij.

Avokatja mbrojtëse e dy grave u zotua se do ta apelojë vendimin.

I mbajtur pjesërisht me dyer të mbyllura, gjyqi ngriti alarmin për lirinë e shprehjes në Rusi për artistët në vend.

Berkovich dhe Petrichuk kanë qëndruar në paraburgim që nga maji i vitit 2023. Ato vazhdimisht kanë përsëritur se janë të pafajshme, ndërsa gjyqet i cilësuan të padrejta dhe tërësisht të paligjshme.

Disa mbështetës të artisteve thane se ndjekja penale mund të lidhet edhe me një seri poezish, që Berkovich ka shkuar, ku përfshiheshin kritika ndaj ofensivës ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

Komuniteti artistik i Rusisë është vënë nën presion në rritje nga Kremlini që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022, të cilët janë ndëshkuar pas shprehjes së mendimit kundër të luftës së nisur nga Putini.