25 vite pas vrasjes së 3 vëllezërve Bytyqi, SHBA nuk harron krimin: Serbia të vendosë përgjegjësit para drejtësisë
DASH ka reaguar në 25 vjetorin e vrasjes së 3 vëllezërve shqiptaro-amerikanë nga forcat serbe. Zëdhënësi Matthew Miller ka kërkuar që Serbia të nxjerrë para drejtësisë autorët
Në 25 vjetorin e vrasjes së tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë nga forcat serbe pas përfundimit të luftës në Kosovë, Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Beogradit të nxjerrë autorët para drejtësisë.
Duke e quajtur vrasjen e tre vëllezërve Bytyqi gjatë kohës që po mbaheshin në paraburgim nga policia e Serbisë si akt brutal, zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller tha se autorët e tij vazhdojnë të jenë të lirë.
“I bëjmë sërish thirrje Serbisë të përfundojë hetimet dhe të nxjerrë përgjegjësit për vdekjen e tyre para drejtësisë,” shkroi Miller në platformën sociale X.

Trupat e tre vëllezërve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi u gjetën me duar të lidhura dhe plagë në kokë, në korrik të vitit 2001, në një varr masiv, në Petrovo Selo, bazë e njësive speciale policore serbe, të komanduara nga ish gjenerali Goran Radosavleviç, i njohur me nofkën Guri.
Të tre ishin pjesëtarë të batalionit Atlantiku të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ishte i përbërë nga shqiptaro-amerikanë që shkuan për të luftuar në vitin 1999 në Kosovë.
Në dhjetor 2018, DASH i ndaloi hyrjen në Amerikë ish-komandantit të njësive speciale të policisë serbe Radosavleviç për rolin e tij në vrasje.

Në një deklaratë të hënën, familja Bytyqi tha se dhimbja vazhdon të jetë e thellë dhe bëjnë përgjegjës ish komandantin Radosavleviç dhe ish ndihmës ministrin e brendshëm të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviç si për vrasjen e pjesëtarëve të familjes së tyre.
Radosavleviç, i cili pas luftës në Kosovë udhëhoqi xhandarmerinë serbe nga viti 2001 deri në vitin 2004, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
Në vitin 2021, ai u nderua nga forcat speciale të Serbisë. Ndërsa ish zv/ministri Gjorgjeviç është dënuar në vitin 2011 nga Tribunali i Hagës për krime luftës në Kosovë.


