Fusha e “Air Albania”-s e dëmtuar, Partizani niset për në Elbasan

Partizani po përgatitet për aventurën europiane, ku në turin e parë të Conference League do të ndeshet me skuadrën malteze të Marsaxlokk.

Të kuqtë e kryeqytetit do e luajnë sfidën e parë më 11 korrik, por jo në kryeqytet. Klubi i “Demave” ka njoftuar se takimi me skuadrën nga Malta, ndryshe nga sa mendohej do të zhvillohet në “Elbasan Arena”.

Në postimin e të kuqve specifikohet se terreni i stadiumit “Air Albania” është i rënduar, çka e bën të pamundur që skuadra të luajë ndeshjen e këtij raundi në këtë impiant. Një lajm jo i mirë për tifozët që do t’u duhet të udhëtojnë jashtë kryeqytetit për të ndjekur skuadrën e tyre të zemrës.

Që pas përfundimit të kampionatit, në stadiumin “Air Albania” janë organizuar disa evente jo sportive, që kanë sjellë dëmtimin e fushës, e cila tashmë kërkon kohë për t’u stabilizuar. Në këtë formë skuadrat e kryeqytetit që luajnë në Europë do të duhet të arratisen nga Tirana për t’i luajtur ndeshjet e tyre si pritëse.