Sërish zgjedhje pas balotazhit të 28 qershorit, votuesit iranianë mes Masud Pezeshkian dhe Saeed Jalili

Dy kandidatë - Masoud Pezeshkian, ligjvënës reformist dhe ish-ministër i Shëndetësisë, dhe Saeed Jalili, ish-negociator kryesor konservator bërthamor dhe sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare - po garojnë për presidencën.

Iranianët kanë filluar të votojnë të premten herët për balotazhin presidencial, pasi asnjë kandidat nuk ia doli të fitojë mjaftueshëm vota për t’u zgjedhur president i ri në rundin e parë të zgjedhjeve më 28 qershor.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se votimi po mbahet në një kohë të vështirë për iranianët të cilët po përballen me mungesë të lirisë, me kushte të këqija të jetesës dhe me një ekonomi të dobët.

Zgjedhjet u thirrën për shkak të vdekjes së Ebrahim Raisit nga rrëzimi i helikopterit muajin e kaluar dhe tani iranianët duhet të zgjedhin mes ligjvënësit Masud Pezeshkian, dhe ish-negociatorit për çështje bërthamore, konservatorit Saeed Jalili.

Jalili shërben si përfaqësuesi personal i liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei në Këshillin për Siguri Kombëtare.

Ai ishte sekretar i këtij këshilli nga viti 2007 deri më 2013, dhe gjatë asaj kohe ai udhëhoqi delegacionin iranian në bisedimet me Perëndimin për programin bërthamor të Iranit.

Pezeshkian ka qenë anëtar i Parlamentit iranian prej vitit 2008 dhe shërbeu si nënkryetar mes viteve 2016 dhe 2020, kur reformistët gëzonin shumicën në legjislaturë.

Ai ka vënë në pikëpyetje metodat e Iranit për zbatimin e detyrueshëm të hixhabit, shamisë islamike për gratë. Pezeshkian ka folur gjithashtu edhe në favor të bisedimeve me Perëndimin.

Megjithatë, ai mbështet parimet e republikës islamike dhe thotë se do t’i ndjekë politikat e Khameneit, nëse zgjidhet president.

Rezultati i zgjedhjeve nuk ka gjasa të sjellë ndryshime të mëdha politike, por mund të ketë ndikim në pasuesin e Khameneit, 85-vjeçarit që është lider suprem i vendit prej vitit 1989.

Në rundin e parë të zgjedhjeve morën pjesë vetëm 39.9% e votuesve.