Në diskutim mandati i tij i kryebashkiakut, Beleri i veshur me kostum mbërrin në KQZ

I veshur me kostum dhe i shoqëruar nga policia. Kështu ka vendosur që të futet në KQZ sot Fredi Beleri, për të cilin do ë diskutohet fati i mandatit të tij si kryebashkiak.  

Pas një seance dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shtyu për sot vendimin për vlefshmërinë e mandatit të kryetarit të Bashkisë së Himarës Dhionisios (Alfred) Beleri.

Avokatja mbrojtëse e zotit Beleri megjithëse ishte e pajisur me akt përfaqësimi, prokurë me të drejta të plota përfaqësimi nga ana e Belerit që aktualisht vuan dënimin në burgun e Fierit, kërkoi që klienti i saj Dhionisios (Alfred) Beleri, të jetë i pranishëm në seancë.

Himara pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, pasi në projekt-vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shkruhet se kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës nuk mund ta ushtrojë detyrën.

Beleri, kreu korrupsion në zgjedhjet lokale të 2023 duke blerë vota, teksa u zgjodh kryebashkiak i Himarës. Por gjatë 13 muajve në paraburgim ky mandat nuk u bë funksional pasi ai nuk u betua. Pasoja direkte e vendimit të apelit është humbja e mandatit si kryetar i zgjedhur i bashkisë Himarë.

Gjykata e Apelit të Posaçëm e gjeti fajtor 52-vjeçarin. Ndaj tij qëndroi në fuqi dënimi dy vjet burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.