Izraeli shqyrton përgjigjen e Hamasit ndaj propozimit për armëpushim në Gazë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të mbledhë kabinetin e tij të sigurisë sot në mbrëmje për të diskutuar propozimet e reja të Hamasit për një marrëveshje armëpushimi në Gazë, sipas një burimi të Zyrës së kryeministrit, sipas “Reuters”.

Para mbledhjes së kabinetit, Netanyahu do të ketë konsultime me ekipin e tij të negociatave për armëpushim.

Izraeli mori dje përgjigjen e Hamasit ndaj një propozimi të bërë publikisht në fund të majit nga presidenti amerikan Joe Biden – që do të përfshinte lirimin e rreth 120 pengjeve të mbajtura në Gazë dhe një armëpushim në enklavën palestineze.

Një zyrtar palestinez i afërt me përpjekjet e ndërmjetësimit tha se Hamasi, grupi militant që kontrollon Gazën, ka treguar fleksibilitet ndaj disa klauzolave, që do të lejonin arritjen e një marrëveshjeje kornizë nëse Izraeli i miraton. Dy zyrtarë të Hamasit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Hamasi tha se çdo marrëveshje duhet t’i jepte fund luftës gati 9-mujore dhe të çonte në një tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Gaza.

Izraeli tha se do të pranonte vetëm pauza të përkohshme në luftime – derisa Hamasi të zhdukej.

Plani përfshin lirimin gradual të pengjeve izraelitë që ende mbahen në Gazë dhe tërheqjen e forcave izraelite gjatë dy fazave të para, si dhe lirimin e të burgosurve palestinezë.

Faza e tretë përfshin rindërtimin e territorit të shkatërruar nga lufta dhe kthimin e eshtrave të pengjeve të vdekur.