Pali — viktimë e sistemit të (pa)drejtësisë

Pal Trashaj ishtë një qytetar i thjeshtë i Lezhës që kishte marrë një kredi të vogël nga një bankë e nivelit të dytë. Banka ia kishte shitur kredinë një shoqërie private të mbledhjes së kredive. Pali e kishte shlyer kredinë, por një "përmbarues" e kishte informuar se detyrimi i tij ishtë dhjetëfishuar. Dhe më pas kishin filluar sekuestrot e pronave, automjeteve dhe llogarive të pagave.

Në 2014, Pali kishte filluar betejën ligjore, duke u endur sa në Polici, Prokurori dhe Gjykatë. Gjatë 10 viteve, ai nuk kishte mundur të merrte drejtësinë e merituar. Skema kriminale dhe autorët e saj vepronin nën mbrojtjen e institucioneve shtetërore, të cilat nuk ishin duarjashtë. Ata vetë dhe familjarë të tyre kishin interesa të drejtëpërdrejta në skemën kriminale të mbledhjes së kredive, shumëfishimit të detyrimeve, sekuestrimit të pronave.

Megjithatë, Pali nuk ishte dorëzuar. Ai kishte besuar te SPAK, te pavarësia dhe integriteti i prokurorëve. Por, shumë shpejt do të zhgënjehej. Kallëzimi i tij penal do t'i dërgohej një prokurorie të zakonshme, ku do të varrosej së bashku me mijëra kallëzime të tjera njerëzish të thjeshtë që denonconin pikërisht skemën kriminale të zhvatjes së parave dhe pasurive të qytetarëve.

Në 2 Korrik, Pali ishte nisur herët në mëngjes nga shtëpia e tij në Lezhë. Në xhep kishte marrë "ilaçin" që do t'i jepte fund dhimbjeve të tij tokësore. Gjithësesi e kishte bërë një përpjekje të fundit. Kishte mbërritur rreth drekës në dyert e SPAK, duke kërkuar të takohet me një përfaqësues të institucionit. E kishin lënë në pritje, pritje e cila nuk dihej sa do zgjaste apo nëse do mbaronte.

I dëshpëruar nga humbja e mundit dhe djersës së gjithë jetës, shpresëhumbur nga pritja e gjatë dhe në mungesë së një rreze drejtësie në fund të tunelit, Pali vendosi të pijë "ilaçin", si akti i fundit i protestës ndaj sistemit të (pa)drejtësisë. "Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar" duket më kuptimplotë se kurrë në rastin e qytetarit Pal Trashaj.

Si ai janë të shumtë qytetarët që në pritje të drejtësisë së munguar, ikin nga kjo botë. Herë me vullnetin e tyre, e herë në pamundësi shëndetësore për të ndjekur proceset gjyqësore deri në fund. Këto raste dëshmojnë më mirë se çdo fjalim patetik, raport shumëfaqësh, foto të bukura, godina të reja dhe paga të larta, se çfarë sistemi (pa)drejtësie kemi ndërtuar.

Sistem që mbron të fortin dhe vret të dobëtin. Sistem që prodhon padrejtësi në emër të drejtësisë. Sistem që vjedh e varfëron. Sistem që shkatërron mundin dhe djersën e një jete. Sistem që pasuron shpejt kriminelin në kurriz të qytetarit të ndershëm. Sistem që nuk sheh, nuk dëgjon, nuk flet, por të uron shërim të shpejtë kur i ke dhënë fund jetës.

Sistem që duhet shembur nga themelet e padrejtësisë mbi të cilat është ndërtuar. Dhe duhet bërë sa më parë që sakrifica sublime e Palit t'i japë fund aradhës së viktimave të sistemit të padrejtësisë.

Pali — viktimë e sistemit të (pa)drejtësisë