Skandali i Onkologjikut, Rama “dush të ftohtë” drejtuesve të QSUT-së: Krim kundër njerëzimit! Bënë para me gjakun e pacientëve
Pas skandalit të Onkologjikut, ku mjekë dhe infermierë të këtij spitali akuzohen se detyronin të çonin drejt klinikave private pacientët me kancer, kryeministri Edi Rama ka thirrur në një takim të gjithë shefat e shërbimeve në QSUT.
Ai e ka konsideruar megaskandalin që ndodhte tek Onkologjiku, një krim kundër njerëzimit.
“Ky spital nuk ka asgjë më pak se spitalet e Europës. Të mos jesh në lartësinë ë detyrës është hall i madh, por të kesh marrë diplomën e licencën e të përdorësh uniformën më delikate të shtetit si maskat e bandave për të nxjerrë para me gjakun e ilaçet e të sëmurëve, është krim kundër të gjithë njerëzimit. Koha e heronjve i ka lënë vendin një kohe tjetër”, tha ai.
Rama teksa u ndal tek skandali në Onkologjik, risolli në vëmendje rastin e Tixhes, sanitares që zhvaste pacientët te Sanatoriumi në kohën e COVID-19.
Ai tha se dhe klithmat për ‘pushkatim’ për rastin e mjekëve dhe infermierëve tek Onkologjiku, janë të mirëkuptueshme, por duhet të mirëkuptohen sakrificat e mjekëve.
“Kur mjekët shkonin në luftë me shpata, ndërkohë që bota kishte shpikur raketat, nuk është mision i pamundur.
Po të mos ishin heronjtë në kohën e pandemisë, disa prej të cilëve ishin kolegë tuajt, që vdiqën dhe në krye të detyrës, numri i shqiptarëve që humbën jetën ishte i vogël në krahasim me vendet e tjera.
Mjaftoi ekspozimi i një Tixheje, ajo infermierja që iu kërkonte lekë të afërmeve në Sanatorium, që i kishte kthyer ata njerëz që luftonin në shtratet e vdekjeve, u ndez revoltë ndaj një komuniteti mjekësh në atë kohë.
Një “Tixhe” rrëzoi përtokë gjithë sakrificat, deri dhe sublime.
Nuk shkonin më as në shtëpi, duke qenë nëna të veshura me bluzën e mjekes dhe infermieres, por rrinin të mbuluar me ato kostumet speciale për t’i bërë hyzmet pacientëve që ishin në shtratin mes jetës dhe vdekjes.
S’ka se si të jetë ndryshe në fakt dhe s’ka as s’i të shpëtojnë autoritetet shtetërorë nga sulmet.
E mirëkuptueshme në dhimbjen e vetë dhe klithma për pushkatim që shfaqet tek tuk që e keni vënë re dhe ju në rrjetet sociale, pavarësisht se nuk jetojmë më në kohën e pushkatimeve.
I gëzohem këtyre rasteve për atë lojën me nervat e njerëzve, duke fabrikuar dhe për atë historinë e kobaltit. Ajo është kriminale, krim më vete. Të mbështetur si përditë nga pompat e kanaleve të ujërave të zeza mediatike. Këto janë problematika të ditura.”, tha ai.
Mbledhja po zhvillohet në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, ndërsa e para që foli në takimin e sotëm ishte ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, e cila ka dënuar ashpër ngjarjen.



