Prej 12 ditësh i zhdukur, autoritetet spanjolle organizojnë një plan kërkimi masiv për gjetjen e adoleshentit britanik
Një kërkim masiv do të zhvillohet sot për adoleshentin e zhdukur, Jay Slater në Tenerife. Ndërkohë policia bëri thirrje për më shumë vullnetarë për të marrë pjesë për gjetjen e adoleshentit. Slater, nga Oswaldtwistle në Lancashire, u dëgjua për herë të fundit në mëngjesin e së hënës, 17 qershor, kur telefonoi një mik për t'i thënë se nuk kishte ujë dhe vetëm 1% bateri në telefonin e tij. Ai kishte qenë me pushime me miqtë dhe ishte kthyer në një shtëpi me qira në një pjesë rurale të ishullit me njerëz që kishte takuar në një festival.
Të premten, Guardia Civil u kërkoi shoqatave vullnetare, si zjarrfikësit dhe ekspertët në terrene të thyer, të regjistroheshin për të marrë pjesë në një kërkim të planifikuar, të zonës shkëmbore afër vendit ku u zhduk 19-vjeçari. Shefi i policisë së Guardia Civil të Tenerife, Angel Sanz Coronado, tha se pas zhdukjes më 17 qershor të të riut 19-vjeçar britanik në zonën e Masca, që i përket komunës së Buenavista del Norte, Garda Civile është e përgatitur të të kryejë një kontroll masiv.
Gryka Masca, ku po kryhen kërkimet, tashmë është kontrolluar nga policia me qen dhe me helikopterë e drone, të cilët nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të Slater. Ai nuk është personi i parë që zhduket në zonë dhe vendasit thanë se mund të duhen muaj që të gjenden trupat e personave të zhdukur.
Nëna e Slater, Debbie Duncan, e cila ka qenë në ishull në kërkim të djalit të saj për më shumë se një javë, tha se nuk po e humbte shpresën se ai do të gjendej i gjallë. Një faqe GoFundMe e krijuar për kërkimin e Slater ka tejkaluar 40,000 £ të premten dhe Duncan tha se paratë do të përdoren për shpenzimet e shpëtimit në mal, strehimin dhe ushqimin.
