RIKTHEHET CELINE DION/ Këngëtarja paralajmëron: Mezi pres të jem në skenë

Pas mungesës disavjeçare në skenë, ylli i muzikës Celine Dion ka premtuar se do të jetë në skenë dhe mezi po prêt që të performojë. Por për shkak të problemeve shëndetësore nuk jep dot një afat të saktë

“Do të jem në skenë, nuk e di kur saktësisht, por më besoni do të bërtas me zë të lartë”

Legjenda e muzikës, Celine Dion e bëri premtimin e shumëpritur për gjithë adhuruesit e hiteve të saj.

Pas një kohe të gjatë shkëputje për shkak të problemeve shëndetësore, ylli ka ndarë për herë të parë rrugëtimin në hijë këto vite dhe përjetimin e sëmundjes.

Prej 17 vitesh, këngëtarja vuan nga Sindroma e Personit të ngurtë, një gjendje neurologjike që shkakton spazëm të muskujve.

56-vjeçarja tregoi se simptomat nisën të manifestoheshin në mes të viteve 2000, duke përfshirë spazma në muskuj, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhimisht edhe në performancat e saj live dhe dhimbjet e vazhdueshme.

Ylli i muzikës e bëri publike që vuan nga shëndeti në dhjetor 2022, kur u tërhoq nga pjesa e mbetur e turneut të saj botëror dhe që atëherë është parë rrallë.

“Zëri im po mundohej, po filloja të shtyja pak. Ishte thjesht një ndjenjë pak e çuditshme, më duhej të gjeja një mënyrë për të qenë në skenë”, shpjegoi Celine mes emocionesh.

“Ishte e pamundur të merrja pushim atëherë, mendova se duke kënduar pjesërisht nuk do të kuptohej dhe zëri im mund të rikuperohej”, shtoi ajo.

Këngëtarja e njohur tha gjithashtu se kishte përdorur një sërë ilaçesh dhe kishte bërë takime të shumta, duke analizuar veshët, hundën dhe fytin, por pa sukses ndërsa thekson se tashmë është duke rifituar aftësitë e saj dhe po punon për të dalë sërish në publik për të kënduar.

E qartë që i ka munguar performanca, Celine Dione tha se nuk mund të presë më gjatë.