Zhvlerësimi i euros, ndikon në turizëm/ Nunaj: Në Shqipëri po aplikohet turizmi masiv ku shpenzimet e turistëve janë të kufizuara

Sezoni turistik në Shqipëri sapo ka filluar, por ajo që bie në sy është se sezoni i ri e gjen monedhën evropiane në nivelet më të ulëta të saj në kursin e këmbimit valutor.

Për të kuptuar se kush është efekti në ekonomi i kësaj situate, e ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj.

“Përgjithësisht mund të themi që bizneset e kanë reflektuar që vitin e kaluar këtë rënie të ndjeshme në kursin e këmbimit. Por sa më shumë prurje nga turistët do të thotë më shumë të ardhura.

Edhe pse këto të ardhura me një euro të dobësuar dhe me lekun të forcuar do të thotë më pak euro në të ardhura, por më shumë në lek, që do të thotë se përsëri kemi të ardhura më të mëdha sa që japin mundësi që kompanitë, njësitë akomoduese, apo bizneset në tërësi që zhvillojnë turizmin të fitojnë më tepër, në mënyrë që ata të riinvestojnë.

Pra këto instrumente kanë gjithmonë anën pozitive dhe negative të tyren.

Aktualisht në Shqipëri jemi në hapat e para të turizmit të lartë, dhe ky turizëm ka dy grupmosha: të parët janë të rinjtë, të cilët zgjedhin pushime më të lira për veten e tyre; dhe e dyta janë grupmosha më e lartë që janë pensionistët, të cilët sërish zgjedhin vendet të cilët janë më të lirë për realizimin e pushimeve dhe përballimin e tyre sa më të lehtë nga pikëpamja ekonomike. Të dyja këto grupmosha i kam klasifikuar si turistë ekonomikë, të cilët kryesisht shpenzojnë pak.

Pra, ne mund të themi që jemi tek turizmi i masës, ku shpenzimet e tyre janë të kufizuara.

Në këto raste mund të kemi dhe turistë ditorë, të cilët produktet që mund të konsumojnë i marrin me vete”, u shpreh ndër të tjera në analizën e saj ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj.