A mund të ketë rikthim të sulmeve mes Tel Avivit dhe Teheranit? Bombardimet izraelite vrasin një tjetër zyrtar iranian në Siri
Sulmet ajrore izraelite pranë qytetit sirian të Aleppos vranë një këshilltar ushtarak iranian, raportuan mediat iraniane, dy muaj pasi Lindja e Mesme ishte në prag të një lufte të madhe, pasi Izraeli dhe Irani u angazhuan në sulme të drejtpërdrejta të paprecedenta në tokën e njëri-tjetrit.
Saeed Abiyar, një këshilltar i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) në Siri, vdiq në sulm, njoftoi agjencia iraniane e lajmeve Tasnim.
Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA tha se incidenti ndodhi rreth orës 12:20 të mëngjesit me orën lokale të hënën, pasi Izraeli nisi një sulm ajror me raketa, duke synuar “një numër objektivash” në afërsi të Alepos.
Abiyar është anëtari i parë i IRGC që raportohet i vrarë nga Izraeli që nga prilli, kur Izraeli dyshohet se ka bombarduar kompleksin e ambasadës iraniane në Damask , duke vrarë disa komandantë.
Republika Islamike iu kundërpërgjigj atij sulmi duke lëshuar një breshëri dronësh dhe raketash drejt Izraelit, shumica e të cilave u rrëzuan.
Irani ka vendosur këshilltarë ushtarakë në Siri në mbështetje të presidentit sirian Bashar al-Assad që kur shpërtheu lufta civile atje në vitin 2011. Izraeli besohet se ka nisur disa sulme ndaj objektivave iraniane dhe të Hezbollahut në Siri vitet e fundit, veçanërisht që nga fillimi i luftës me Hamasin në Gaza.

