Koreja e Veriut lëshon edhe më shumë balona me jashtëqitje në drejtim të Koresë së Jugut

Koreja e Veriut ka dërguar edhe më shumë balona që transportojnë mbeturina dhe jashtëqitje, përtej kufirit të fortifikuar në Korenë e Jugut.

Njoftimin e dha ushtria e Koresë së Jugut.

Kjo vjen vetëm disa ditë pasi Koreja e Veriut u duk se dërgoi të paktën 200 balona që transportonin mbeturina mbi kufi, si hakmarrje për fletëpalosjet propagandistike të dërguara nga jugu.

Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Shin Ëon-sik e quajti atë "sjellje të paimagjinueshme, të vogla dhe të ulëta".

Koreja e Veriut ende nuk ka komentuar për grupin e fundit të balonave, por të enjten, zëvendësministri i mbrojtjes Kim Kang Il paralajmëroi se mbeturinat dhe papastërtitë do të dërgoheshin përtej kufirit, në mënyrë që Jugu ta shihte se sa përpjekje duheshin për t'i hequr ato.

Ushtria e Koresë së Jugut i kërkoi publikut të shmangte prekjen e balonave dhe t'i raportonte ato tek autoritetet, sipas një deklarate të shtunën e raportuar nga agjencia e lajmeve Yonhap.

Të martën vonë, banorët që jetonin në Seul dhe në rajonin kufitar morën mesazhe me tekst nga autoritetet provinciale duke u kërkuar atyre që të "shmangnin aktivitetet në natyrë".

Atyre iu kërkua gjithashtu të paraqisnin një kallëzim në bazën ushtarake ose stacionin më të afërt të policisë nëse dallonin një "objekt të paidentifikuar".

Autoritetet e Koresë së Jugut thanë se qeset "përmbanin mbeturina të pista dhe plehra" dhe po analizoheshin nga autoritetet përkatëse.