Rrëshqitje masive dherash në Papa Guinea e Re, OKB: 670 viktima
Rreth 670 persona vlerësohet të jenë fundosur nën rrëshqitjen masive të dheut në Papua Guinenë e Re, sipas një zyrtari të OKB.
Kreu i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin në Papua Guinenë e Re, Serhan Aktoprak tha se ndikimi i rrëshqitjes së dheut të premten në provincën e izoluar Enga ishte më i madh sesa mendohej fillimisht.
"Ka shumë shtëpi të fundosura tani dhe ekipet e shpëtimit rrezikohen pasi rrëshqitjet e tokës vijojnë ende’ deklaroi ai.
Në zonën e prekur jetojnë rreth 4 mijë banorë, teksa rreth 1 mijë prej tyre janë zhvendosur pas katastrofës.
Agjencia humanitare që po ndihmon në misionet e shpëtimit, paralajmëroi se numri viktimave do jetë I lartë për shkak të një fluksi njerëzish që u shpëtojnë konflikteve fisnore në zonat fqinje.
Rrëshqitja e dheut ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit me orën lokale kur njerëzit me shumë gjasë flinin gjumë.
Deri këtë të dielë, vetëm 6 trupa viktimash kanë mundur të gjenden ndërsa mbetjet që përfshijnë gurë të mëdhenj, pemë e rrënoja banesash janë zhvendosur deri në 8 metra.
Ekziston vetëm një autostradë në provincën Enga dhe zyrtarët njoftuan se mbetjet e kanë bllokuar një pjesë të madhe të saj duke kufizuar aksesin në vendin e shpëtimit
Papua Guinea e Re ka një popullsi prej më shumë se 11.7 milion njerëz. Me rreth 850 gjuhë indigjene, është vendi më i larmishëm gjuhësor në Tokë, sipas Bankës Botërore.
