“Jeni përbashkuesit e dy brigjeve të Adriatikut”, Rama para shqiptarëve të Italisë: Thellësisht i prekur nga mikpritja
Me thirrjet për te investuar ne Shqipëri, duke treguar dhe historikun e emigracionit, ishin disa nga temat qe kryeministri Rama preku ne takimin e tij.
Duke u ndalur tek përpjekjet shpesh fatale të shqiptarëve për të arritur në brigjet italiane, Rama foli edhe për suksesin e atyre që ja dolën.
Përpara emigrantëve shqiptarë Kryeministri u tregoi atyre se Shqipëria nën udhëheqjen e tij ka ndryshuar.
Duke mos e përmendur me emër por përpjekjen e Sali Berishës dhe të PD për tu rikthyer në pushtet, Rama e konsideroj të pashpresë.
Edhe në Milano, foli për emigracionin që ka kapluar vendin, por mohoi zërat se në shqipëri kanë mbetur 1.5 milion njerëz.
Milano ishte ndalesa e dytë e kryeministrit dhe kryetarit të partisë socialiste Edi Rama, pas Athinës, ndërsa Londra do të jetë destinacioni tjetër.
Në nisje të fjalës së tij ai u shpreh se ndihet i prekur nga mikpritja që i është bërë, teksa pallati i sporteve në Milano është mbushur me mijëra shqiptarë.
“Jam thellësisht i prekur nga mikpritja juaj. Dua që ta dini më ka emocionuar tej mase vala e nxehtë e përshëndetje të shumë shqiptarëve që më kanë shkruar gjithë këto ditë. Flamuri kuq e zi dhe trengjyrëshi italian dëshmojnë lidhjen e dy popujve. Ju shqiptarët e Italisë jeni shëmbëlltyra më rrezatuese e pararojave shqiptare të ribashkimit me europën. Jeni përbashkuesit më kryesorë të dy brigjeve të Adriatikun, fuqia e rikthimit të Arbërisë së vjetër dhe Shqipërisë së re.
Shqiptari në vitet 1990 ndihej i diskriminuar. Ndodhte një grabitje, gazetat lokale thoshin se është një shqiptar. Ndodhte një vrasje dhe mediat thoshin se është një shqiptar. Edhe kur ikte në drejtim të paditur, vrasësi i panjohur ishte shqiptar. Shqiptarët ishin dashuruar me Italinë dhe Seria A e Kombëtarja Italiane ishte në zemrën e tyre. Shqiptarët edhe nën diktaturë e donin Italinë dhe thesaret e saj. Shqiptarët kthenin antenat nga Italia, si shteti komunist kundërajrorët.
Fatkeqësia më e madhe ishte se Shqipëria në sytë e Italisë. E zezë dhe e palexueshme, si ekrani i një televizioni kur ikin dritat. Si atëherë kur italianët e fundit u morën në shtëpitë e shqiptarëve të cilët i ushqyen dhe i trajtuan si të shtëpisë derisa i nisën për në familjet e tyre. Motra e vëllezër, mora shumë mesazhe nga shqiptarët në Itali pas valles kuqezi në zemër të Greqisë. Në më shumë se një rast më thonin që kur të vija në Milano nuk duhet të harroja se edhe ju keni vuajtur. Ndjeheshit të përjashtuar nga një garë dhimbjeje.
Sot shtet demokratike ose ia dalin të gjithë së bashkë në Europë, ose mbesim mbrapa në një Europë që sot është më shumë e sfiduar që nga Lufta e Dytë Botërore. Gjermania ia doli të bashkohej pa lojëra politike apo për të pritur që gjermano lindorët të përshtateshin. Ndërsa BE u zvarrit me zgjerimin derisa rusët u shfaqen me luftën e parë pushtues për dekada duke e bërë Europën të kuptojë se duhet të bashkohet një orë e më parë përmes urave të demokracisë, jo të bashkohet me hapin e breshkës përmes buroracisë.
këngë duket si e shkruar për shqiptarët e Italisë, kur thotë “ti do ta provosh si shijen e kripës në bukën e tjetrit, se ç’vuajtje është që shkallët e tjetrit t’i zbresësh e ngjisësh”.
“Tu lascerai ogne cosa diletta più caramente; e questo è quello strale che l’arco de lo essilio pria saetta.” Shigjeta e harkut të arratisë do t’i ketë paraprirë, braktisjes së çdo gjëje që ti merrje me të mirë.
Ju shqiptarët e Italisë provuat të pabesueshmen, kur derdhët lot malli çurk për Shqipërinë, të cilën e kishit lënë me betimin ekstrem për të mos ia parë më kurrë sytë dhe lot të nxehta inati për Italinë, që e kishit kërkuar me besimin ekstrem se nuk do t’jua lagte kurrë fytyrën me ujin e kripur të syve.
Por tamam aty në atë shteg fare të ngushtë, mes atdheut të mallkuar që lat mbas kurrizit duke rendur si ai fati i Shqipërisë së ngritur nga varri dhe atdheut të dytë këtu që u përplas mbi ju si i marri duke iu shkelur e duke iu përmbysur bashkë me thesin e ëndrrave tuaja, ju gjetët atdheun më të sigurt vetveten.
Zbuluat brenda jush forcën e pandalshme për të ndjekur nga mbrapa të ardhmen tuaj pa u dorëzuar kurrë, mes e përmes purgatorit të plagëve të reja, kur ato të ferrit të vjetër akoma nuk ishin mbyllur duke e shtrënguar fort besimin te vetja tamam siç shtrëngonte Danteja dorën e Virgjilit. Virgjili është ai që i la njerëzimit edhe rrëfimin për forcën e pashtershme krijuese të emigrantëve, përmes personazhit kryesor të kryeveprës së tij “Enejdës”.
Enea refugjati i arratisur nga zjarret dhe lemeritë e luftës së Trojës, ndalet në Butrintin tonë për të mësuar fatin e tij dhe pikërisht në Butrint, kjo Trojë e vogël, - siç e quan Virgjili, - Enea mëson fatin e tij përmes një profetësie. Në fund të një udhëtimeve të rrezikshme do themelosh Romën e lavdishme.
Përtej mitit, rrëfimi i Virgjilit na zbulon se çdo kështjellë politike është ndërtuar me gurë të mbledhur nga shtresat e kohës, çdo identitet e ka zanafillën me një të ardhur diku nga diku, çdo bashkësi e krijuar nga politika si entitet juridik mbi shtratin e gjeografisë, nuk është asgjë tjetër veçse një përzierje ripërtëritëse e elementeve, që në një epokë apo në një tjetër janë ndërthurur në përqafimin e të ardhurve më parë dhe atyre që kanë ardhur më pas me njëri – tjetrin. Edhe në këtë pellgun tonë mesdhetar, ju shqiptarët e Italisë, e ata të Greqisë më së pari jeni sot një nga shëmbëlltyrat domethënëse të një profetësie të përbashkët, themelimit të një qytetërimi të ri europian, më i lirë, më i drejtë dhe më gjithëpërfshirës sesa paraardhësit e tij grek dhe romak, fundi i hidhur i të cilëve mëson këdo që do të mësojë se si edhe realitetet politike në dukje më të çelikta mund të rrënohen si kështjella rëre, kur etja për pushtet e individëve që duan të kontrollojnë të djeshmen gërryen deri në sakrifikim vlerat e përbashkëta njerëzore dhe e kthen të përpjetën sfiduese drejt së ardhmes në tatëpjetën shkatërruese të së shkuarës.
Përpara se t’i jepte lamtumirën Elenit dhe Andromakës në Butrint, Enea në vizionin e qytetërimit që do të sillte lulëzimin në të tjera vise në Itali, ëndërronte që vëllezër prej shpirti dhe dashurie, popuj të krejt asaj zone do të ndërtonin një atdhe të vetëm, të përzier dhe të nënshtruar ndaj një fati të përbashkët në kufirin mes lindjes dhe perëndimit, të përziera dhe të mbishtruara ndaj njëra-tjetrës i kemi pasur historitë tona ne popujt në këtë zonë.
Dhe një prej shëmbëlltyrave më domethënëse të asaj përzierje është ajo e kohës kur fisnikëria shqiptare fitoi qytetarinë Venedikase, bashkë me të drejtën e përfaqësimit dhe kur Skënderbeu ynë u bë flamuri i qëndresës së perëndimit ndaj furisë së ardhur nga lindja, ne u nderuam nga Selia e Shenjtë me titullin e madh të “Atletit të Krishtit”, por nga ana tjetër njihet botërisht edhe fakti se heroi ynë kombëtar ishte edhe një luftëtar besnik i mbretit të Napolit me të cilin e lidhte pakti që i hapi rrugë konsolidimit të një bashkësie shqiptare që nga Pulia deri në Sicili ku ruhet në 51 komuna italiane sot e gjithë ditën gjuha e Arbërisë skënderbejane. Prej atyre rrënjëve të vjetra arbërore dolën në shekuj familje të mëdha e individë të shquar, që lanë gjurmë në historinë e Italisë; Albanët prej të cilëve doli edhe një papë shqiptar, Durrazzo-t e Xhenovës, Krispët e Risorgimento-s, Gramshët e rezistencës antifashiste, e plot të tjerë.
Ju, shqiptarët e Italisë e këputët me forcën e mërisë ndaj diktaturës së varfërisë dhe me duart e ëndrrave tuaja për Europën e prosperitetit, kërthizën me tokën mëmë përmes po atij deti ku paraardhësit tanë të vjetër, arbëreshët, e panë t’ju këputet ajo kërthizë me shpatat e makthit të tyre.
Ndryshe nga ju, që jeni katranipërit e sotëm të Skënderbeut, që vetëm pak vite më pas larg Shqipërisë rifilluat të ktheheshit për t’u çmallur me rrugët e vendlindjes ata, vëllezërit e motrat e Gjergj Kastriotit, kapërcyen shekuj në pamundësi për ta riprekur me sytë e përmalluar Arbërinë.
Arbëria vdiq pas lëngimesh të gjata shumë larg syve të tyre, e u ringjall me emrin Shqipëri e me një flamur të ri, ndërkohë që trojet arbëreshe të Italisë mbetën sëndyku i rrobave, i qirinjve dhe kujtesës së Arbërisë, mbuluar me flamurin e vjetër të legjendës dhe të historisë së Heroit tonë Kombëtar.
Por nga ana tjetër janë shumë domethënëse janë edhe gjurmët historike të Italisë në Shqipëri, aty ku Jul Qezari sfidoi Pompeun; aty ku Napoli, Amalfi e Venezia sollën tregtarë e arkitektë, ngritën kisha e ndërtime; aty ku kështjella e Rozafës së Shkodrës u kthye në simbolin e rezistencës veneciane kundër fuqisë otomane dhe u përjetësua në pikturën e gjeniut të Rilindjes, italiane Paolo Veronese, e cila qëndron sot e gjithë ditën në sallën e Këshillit të Madh në Venezia.
Ato gjurmë shtrihen nëpër trupin e Shqipërisë ndër shekuj drejt kohëve më të vona, deri aty ku mori jetë plani urbanistik i arkitektëve fiorentinë mbi të cilin u vu guri i parë i Tiranës moderne,e më pas aty ku nga përqafimi i dhunshëm i Shqipërisë dhe Italisë fashiste, shtrënguar mes historisë së një fuqie të madhe adriatike që e kishte parë mëmëdheun tonë si simotër dhe fuqisë megalomanianike të një Italie të verbuar nga ëndrrat e vjetra perandorake, u hap një plagë e rëndë prej së cilës mbeti lavdia e luftës antifashiste, po edhe gjurma e kulturës së asaj kohe, që sot e gjithë ditën është e shenjuar mbi të gjitha në asamblin historik të bulevardit kryesor të Shqipërisë.
Të dashur bashkëatdhetarë,
Tek ju, shqiptarë të Italisë e po njësoj të krejt Europës, unë shoh sikur ka marrë mish dhe shpirt shprehja e një emigranti të madh, Shën Palit, i cili i ra Mesdheut kryq e tërthor me peripeci të atilla që vetëm ju mund t’i kuptoni me mendje e më trup, deri kur solli Fjalën e Mirë të dashurisë së Zotit në këtë tokë të bekuar të Italisë, pasi e shpalli atë, siç vetë e dëshmon, në të gjithë Ilirinë:
“Luftova betejën e drejtë; e ndala tashmë vrapin; e ruajta besimin; pres vetëm çka më takon, kurorën e drejtësisë”.
Sot ju këtu, në Itali, jeni afro 700 mijë banorë me leje të rregullt qëndrimi në Itali dhe më shumë se një e treta juaj, afro çerek milioni jeni qytetarë me pashaportë italiane e me të drejtë vote në vendimmarrjet demokratike të këtij vendi.
Tre të pestat tuaja janë të përqëndruar këtu, në veriun e zhvilluar italian. 10% e totalit të bizneseve të krijuara nga që kanë ardhur në Itali nga jashtë Bashkimit Europian janë tuajat dhe sipërmarrjet e shqiptarëve që kontribuojnë me taksat e tyre në arkën e shtetit italian janë mbi 40 mijë.
Studentët shqiptarë në universitetet italiane, janë po ashtu rreth 10% e gjithë studentëve të huaj nga jashtë vendeve të BE-së dhe mes të gjitha komuniteteve të huaja studentore të Italisë, ai shqiptar renditet mes atyre me rezultatet më të mira.
421 mijë prej jush do të përfitojnë nga marrëveshja e sapolidhur e pensioneve me Italinë, ku falë angazhimit personal të kryeministres suaj në Italinjë mike e paepur të Shqipërisë dhe një zëdhënëse shumë e fortë e jona në Bashkimin Europian, Giorgia Meloni, ne ia dolëm ta vendosim më në fund, pas një përpjekjeje të gjatë po të palodhur dhjetëvjeçare, një gur të çmuar e të munguar, në atë kurorën e drejtësisë që ju e keni merituar plotësisht me dashurinë, me stërmundimet e me kontributet tuaja për këtë atdhe të dytë tuajin, ku ju e heshtët përgjithmonë atë zilen e paragjykimit të tmerrshëm “e stato un albanese”, që ju shoqëroi në të përpjetën e mundimshme të sakrificave drejt triumfit tuaj, si europianët e rinj të Italisë.
Sot unë kam ardhur tek ju, për t’ju thënë se edhe Shqipëria tanimë, po e fiton njësoj si ju betejën e saj të drejtë, pa e ndalur vrapin dhe duke e ruajtur të palëkundur besimin, në kërkim të kurorës së munguar të drejtësisë për emrin e saj, flamurin e saj, vendin e saj me Zot, me ligj e me zakon, në familjen e shteteve të Europës.
Jua them vazhdimisht kolegëve të mi europianë; vërtetë edhe për pak kohë ne nuk jemi ende të gjithë si popull dhe si shtet në Bashkimin Europian, por të qenit europian në mes të Europës, njësoj të barabartë në nder dhe në dinjitet me të gjithë të tjerët, nga Londra deri në Varshavë, nga Stokholmi deri në Athinë, shqiptarëve ua ka caktuar njësoj si gjithë europianëve i njëjti Zot dhe ne na e ka shkruajtur amaneti i Skëndërbeut, i rilindasve, i dëshmorëve të shqiptarisë ndërsa mbarë këtij kontinenti, jeni ju që ja keni imponuar të parët se shqiptarët janë pjesë e Europës dhe ju jeni pjesë e bashkuar e familjes europiane.
Njësoj sicc ju e çliruat këtu në Itali emrin “albanese” nga ai kafazi i tmerrshëm i paragjykimeve poshtëruese, edhe Albania jonë sot ka dalë nga ai kafaz, ku deri para disa vitesh e shikonin me nënçmim, e trajtonin, në rastin më të mirë, si një krijesë misterioze dhe në rastin më të keq si një qenie inferiore, e mbushur me pleshtat e të gjitha të këqijave, një vend i rrezikshëm i padepërtueshëm nga ligji, i mbështjellë nga pluhrat, i pushtuar nga plehrat që i bënte të gjithë shqiptarët në Europë, që ju bënte dhe ju këtu në Itali të skuqeshit kur i zihej emri me gojë ”Albania”.
Por sot, sot ka ardhur dita që çdokush rreth e rrotull jush, në lagje, në punë e kudo qoftë, nga italianët kur i thoni Albania, ju thotë “Mezi po pres të shkoj me pushime” dhe ka ardhur dhe dita kur nëse rastis ndonjëri që ju sheh shtrembër, keni të gjitha arsyet ta shihni me kokën lart dhe t’i thoni “C’e qualcosa”?”
Për shumë vite ishit ju, shqiptarët e Italisë dhe të gjithë Europës që e mbajtët Shqipërinë në këmbë me dërgesat për familjet tuaja. Sot është radha e Shqipërisë t’ju bëjë juve krenarë, kur flisni për atdheun tuaj apo kur italianët dhe europianët e tjerë flasin për Shqipërinë dhe për dinjitetin e saj të fituar përfundimisht europian.
“Akil, Akil, këmbëshpejti që rend brigjeve të detit…” Kjo fjali e nxjerrë nga “Iliada” shqiptohej me zë të ulët nga një shqiptar që në vitin 1943 vuante si anti-fashist internimin.
Kjo fjali nxjerr nga Iliada, shqiptohej me zë të ulët, si një uratë në greqishten klasike, nga një shqiptar që më 1943 vuante si antifashist internimin në Ventottene. “Në Ventottene”, shkruan Altiero Spinelli, një nga etërit e projektit të Europës së Bashkuar –”, u shpreh Rama.

