Courtois “hedh” kandidaturën për finalen e Wembleyt: Jam rikthyer më i fortë

Thibaut Courtois kaloi një periudhë shumë të vështirë duke qëndruar për nëntë muaj jashtë fushave si pasojë e dëmtimeve në gju.

Belgu, tashmë i rikthyer në formacion nga trajneri Carlo Ancelotti në ndeshjet e kampionatit ka treguar një formë shumë të mirë duke vendosur në dilemë trajnerin italian se cilin prej portirëve të zgjedhë për finalen e Champions League më datë një qershor në Wembley ndaj Borussia Dortmund duke qenë se zëvendësuesi Lunin, ka zhvilluar paraqitje vendimtare për Realin në këtë kompeticion.

Vetë Courtois, është i bindur se mund të luajë pa problem në finale, madje shprehet se është rikthyer më i fortë.

“Ndjehem shumë mirë, e dija se do të rikthehesha i fortë.

Jam i njëjti Courtois, ose ndoshta jam edhe më i mirë tani.

Ndaj Alavez mora disa goditje në kuadrat dhe të them të drejtën më mungonte një ndeshje kaq impenjative.

U ndjeva krenar për reflekset e mia”, u shpreh Courtois.

Vetë trajneri Ancelotti para disa ditësh u shpreh se ende nuk e ka ndarë mendjen se cili prej portierëve do të luajë titullar ndaj Borussia Dortmund.