“Kina, shtylla e rendit të ri botëror!”/ Orban dhe Xi zotohen të rrisin bashkëpunimin ekonomik e tregtar
Njësoj si në Beograd, edhe në vizitin në Budapest, Xi Jinpig ka nënshkruar marrëveshje që synojnë thellimin e bashkëpunimit mes shteteve. Viktor Orban, e cilësoi Kinën si shtyllën e rendit të ri botëror, ndërsa të dy liderët u zotuan pëe rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ndërtimin e një ure, që kalon nga Beogradi.
Kina dhe Hungaria do ta rrisin bashkëpunimin në disa fusha, përfshirë edhe industrinë e energjisë bërthamore.
Një gjë e tillë u tha nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, pas bisedimeve me presidentin kinez, Xi Jinping, në vizitën e këtij të fundit në Budapest.
“Kina është njëra prej shtyllave të rendit të ri botëror”, tha Orban. Gjithashtu, gjatë konferencës për media ai e vuri theksin tek katërfishimi i shkëmbimeve tregtare. Sipas tij gjithë ky aktivitet ka ndodhur në 20 vitet e fundit, duke i shndërruar marrëdhëniet mes Pekinit dhe Hungarisë një një partneritet strategjik.
Nga Ana e tij, Xi deklaroi se bashkëpunimi ekonomik, tregtar e financiar, do të thellohet. Ai u zotua se do të çojë përpara projekte kyçe të ndërtimit, përfshirë një hekurudhë të shpejtë mes Budapestit dhe Beogradit.
Hungaria është synimi kryesor i investimeve kineze në Evropën Qendrore dhe Lindore, tha ai.
Xi mbërriti në Budapest mbrëmjen e 8 majit, pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic, në Beograd. Liderët nënshkruan një marrëveshje që rrit shkallën e bashkëpunimin mes tyre nga partneriteti strategjik në “ndërtimin e një komuniteti të Serbisë dhe të Kinës me një të ardhme të përbashkët në epokën e re”.
Kujtojmë, se Orban ka krijuar marrëdhënie të ngushta me Kinën dhe Rusinë, në të njëjtën kohë duke e zemëruar Brukselin për mosvendosjen e sanksioneve të BE-së kundër Moskës, si dhe duke mos lejuar furnizimin e Ukrainës me armë.

