BE: Nuk ka qëndrim të përbashkët për legjitimitetin e Putinit

Vendet e Bashkimit Evropian (BE) nuk kanë një qëndrim të unifikuar për njohjen e zgjedhjeve presidenciale në Rusi, tha zëdhënësi për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në Bashkimin Evropian, Peter Stano.

“Nuk ka asnjë qëndrim të përbashkët mes 27 vendeve anëtare të BE-së për mosnjohjen e Vladimir Putinit si president legjitim të Rusisë”, tha Stano.

“BE-ja tashmë ka shprehur mendimin e saj për natyrën e procesit zgjedhor pas zgjedhjeve”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian duke e krahasuar rastin e Putinit me liderin sirian Bashar al-Assad dhe liderin bjellorus Alexander Lukashenko.

Stano theksoi se vendimi i ambasadorëve të disa vendeve të BE-së për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit rus Vladimir Putin është një vendim sovran i secilit prej vendeve të komunitetit.