Scholz siguron partnerët baltikë të NATO-s për mbështetjen ushtarake gjermane

Kancelari gjerman Olaf Scholz siguroi partnerët e NATO-s në rajonin e detit Baltik për mbështetjen te mbrojtja ushtarake gjermane, gjatë një vizite në rajon.

“Gjermania qëndron fort në anën e vendeve baltike”, tha sot Scholz në Pabrade, Lituani, ku ai vizitoi ushtarët e Bundeswehr-it.

“Angazhimi i Gjermanisë është serioz. Kjo do të thotë se ne i ofrojmë njëri-tjetrit mbrojtje dhe se të gjitha shtetet mund të mbështeten tek ne për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të tyre”, theksoi ai.

Vizita e Scholzit nënvizon rëndësinë strategjike të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë në vazhdën e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Tre vendet e NATO-s dhe BE-së janë ndër mbështetësit më të zjarrtë të Kievit dhe kanë frikë se agresioni ushtarak i Kremlinit nuk do të ndalet në Ukrainë.

Ata të gjithë ndajnë një kufi me Rusinë dhe dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Duke reflektuar këtë realitet të ri në krahun lindor të NATO-s, Gjermania po përgatitet për vendosjen e një brigade të përhershme të Bundeswehr-it në Lituani që numëron rreth 4 800 ushtarë.

Synimi është që njësia të arrijë gatishmërinë e plotë luftarake deri në vitin 2027.

“Gjermania po investon masivisht në zgjerimin e aftësive të saj mbrojtëse. Kjo lidhet gjithashtu me vendimin që investimi në Bundeswehr do të përbëjë 2% të PBB-së sonë’’, theksoi Scholz.

“Fakti që Gjermania po i siguron Ukrainës një sistem të tretë të mbrojtjes ajrore ‘Patriot’ duhet të shërbejë si shembull për të tjerët”, tha ai.