Estonia fajëson Rusinë për ndërhyrje në sinjalin GPS në Balltik
Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna ka fajësuar Rusinë për bllokimin e sinjaleve GPS mbi Balltik, pas disa javësh ndërhyrjesh që kanë ndërprerë udhëtimin ajror në rajon.
Estonia është përfshirë nga disa ndërhyrje të cilat kanë shkaktuar ndërprerje në navigimin satelitor GPS, kohët e fundit.
Autoritetet e shtetit të Detit Baltik thanë se ndërhyrja e sinjalit GPS po transmetohet nga territori rus dhe problemi është përkeqësuar që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë, në shkurt 2022.
“Ne e dimë se Rusia ka bllokuar sinjalin GPS që nga fillimi i sulmit të saj në Ukrainë. Gjatë një viti e gjysmë të fundit, ky problem është bërë shumë serioz në rajonin tonë”, tha Tshanka.
Ai tha se Letonia, Lituania, Finlanda, Norvegjia, Suedia dhe Polonia ishin prekur gjithashtu nga ndërhyrjet, së bashku me Estoninë.
“Nëse shikojmë aktivitetet e Rusisë, ky sulm ndaj GPS është pjesë e një veprimi hibrid që prish jetën tonë dhe thyen të gjitha llojet e marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha Tsahkna.
“Sipas një konvente në të cilën Rusia është palë, askush nuk duhet të ndërhyjë në GPS”, tha ai.
“Megjithatë, ka shumë prova se ndërhyrja vjen nga Shën Petërburg, Pskov dhe Kaliningrad”, tha Tshanka pa dhënë detaje të mëtejshme.
