Protesta e Opozitës para Bashkisë së Tiranës, Kikia: PL-ja po përpiqet të faktorizohet
Ka zgjatur rreth dy orë protesta e opozitës para bashkisë së Tiranës, ku qytetarët dhe këshilltarët opozitarë kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.
Në nisje të protestës kanë qenë qytetarë, por edhe aktorë e politikanë që kanë folur, duke kërkuar transparencë me fondet e bashkisë.
Më pas ka patur edhe situata tensioni, ku fillimisht është hedhur molotov dhe më pas qytetarët dhe këshilltarët opozitarë janë përplasur me policinë, pasi kanë tentuar të futen brenda ambienteve të bashkisë.
Ata kanë tentuar disa herë që të heqin barrierat prej hekuri te vendosura para bashkisë, por nuk janë lejuar.
Në këndvështrimin e analistit Mentor Kikia protesta para Bashkisë së Tiranës më shumë duket se po përdoret nga përfaqësues të PL-së për të faktorizuar Partinë e Lirisë si realitet politik ende i fortë.
“Dhe për këtë arsye i kemi nga protesta në protestë edhe angazhimi i shtuar i përfaqësuesve të saj., siç ishte rasti i Tedi Blushit.
Por kemi parë edhe një agresivitet të protestës nga java në javë. Protesta nuk po zhvillohet para SPAK-ut që të mund të shihet si presion ndaj saj për hetimet e dosjeve të Bashkisë, ku drejtues të lartë saj tashmë janë vënë në akuzë.
Kemi një opozitë që shton presionin ndaj kryebashkiakut që të japë dorëheqjen për atë çfarë ka ndodhur në Bashkinë që drejton nga vartësit e tij”, theksoi ndër të tjera, Mentor Kikia në një intervistë për “Ora News”.



