Protesta tek bashkia, Këlliçi: Reagimet e selive diplomatike, të turpshme. Nuk kishte asnjë të dëmtuar

Ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi në një intervistë në Ora News u shpreh se pas protestës tek bashkia e Tiranës po mbahen të arrestuar pas asnjë motiv persona që janë të pafajshëm.

Këlliçi: Aktualisht Kevin Vidrica, Bernard Metalia dhe Franc Kaloshi mbahen në komisariat pa asnjë motiv.

Madje Franc Kaloshin që është anëtar kryesie në Laprakë e kanë arrestuar në Lushnje.

E kanë gjetur ditën e djeshme, është qesharake.

A thua se po kërkojnë ndonjë drejtor të 5D-së.

E gjithë policia e shtetit në këmbë për të kapur dy 18 vjeçarë dhe një anëtar të kresisë së PD-së që kanë protestuar kundër vjedhjes dhe banditëve së kryetarit të bashkisë Tiranë që qëndrojnë në zyrë.

Në mënyrën më të turpshme dhe qesharake, reagimet e selive diplomatike  ditën e djeshme flasin për një dhunë që është ushtuar në protestën ditën e djeshme ku dhe vetë në deklaratën e policisë së Shtetit shihet qartë që nuk ka asnjë të lënduar nga asnjëra palë.

Pra unë nuk e di se si mund të konsiderohet një protestë e dhunshme ku në bilancin e saj nuk ka asnjë person që të mund të jetë dëmtuar.

Nëse janë kaq të shqetësuar komuniteti ndërkombëtar dhe policia e shtetit për dy xhama që janë thyer në bashkinë e Tiranës, po ja cojmë ne dhe po i zëvendësojmë meqë kanë hallin e taksave publike.

Por të thonë një fjalë për 130 milionë euro që janë vjedhur tek inceneratori i Tiranës.

Të thonë një fjalë për 30 milionë euro që kanë vjedhur drejtorët e Erion Veliajt në bashki me kompaninë e tyre 5D.

Dhe të thuhet një fjalë për korrupsionin endemik që ndodh në bashkinë e Tiranës.