Bota rrezikon Luftën III-të Botërore, Ukraina ngre alarmin para votimit të ndihmës në Kongresin e SHBA

Bota rrezikon Luftën e Tretë Botërore nëse Ukrainë humb luftën me Rusinë. Ky është paralajmërimi i kryeministrit ukrainas Denys Shmyhal për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit tashmë në vitin e tretë në një intervistë për BBC ku Ai i kërkoi Kongresit të SHBA të miratojë paketën e ndihmës financiare të bllokuar prej kohësh.

Thirrja vjen në një kohë kur Dhoma e Përfaqësuesve  pritet të votojë të shtunën ligjin që parashikon 60.84 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën.

Ukraina është në mënyrë kritike e varur nga furnizimet me armë nga SHBA-ja dhe aleatë të tjerë perëndimore për të vazhduar luftën përballë forcave ruse që nuk kanë problem të tilla

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka bërë thirrje Kongresit që të miratojë me shpejtësi projektligjin që krahas Ukrainës parashikon fonde edhe për Izraelin, që u përball pak ditë më parë me sulme nga Irani.

‘Këto para na duheshin që dje, jo më sot dhe nesër’ është shprehur Shmyhal. “Nëse nuk mbrojmë, Ukraina do të bjerë. Pra, sistemi global i sigurisë do të shkatërrohet dhe e gjithë bota do të duhet të gjejë një sistem të ri sigurie’ shtoi kryeministri ukrainas duke theksuar se do të ketë shumë konflikte dhe në fund të fundit, kjo mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore.

Kjo nuk është hera e parë që Ukraina lëshon një paralajmërim kaq alarmues për pasojat e humbjes së saj të mundshme ndaj forcave të Kremlinit.

Vitin e kaluar, presidenti Volodymyr Zelensky tha se nëse Rusia do të fitonte, ajo mund të pushtonte Poloninë, duke shkaktuar Luftën e Tretë Botërore.

Por zyrtarët e Kremlinit i kanë konsideruar këto pretendime si frikësime perëndimore. Muajin e kaluar presidenti Vladimir Putin i quajti të pakuptimta aludimet se Rusia një ditë mund të sulmonte Evropën Lindore.

Një hetim i BBC publikuar të mërkurën tregoi se Rusia ka humbur mbi 50 mijë trupa gjatë luftës në Ukrainë, ndërsa dhjetëra mijëra përllogaritet se janë plagosur.

Rusia e ka transformuar bazën e saj industriale në një ekonomi lufte, duke shpenzuar 40% të buxhetit të saj kombëtar për armatim, ndërsa ka arritur marrëveshje me Iranin dhe Korenë e Veriut për municione, raketa dhe drone.