Rritet frika për përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme pas sulmit ajror iranian në Izrael
Sulmi ajror në shkallë të gjerë i Iranit ndaj Izraelit ka nxitur frikën e përshkallëzimit të mëtejshëm në Lindjen e Mesme të paqëndrueshme, pasi udhëheqësit dënuan sulmin dhe u mblodhën sot për të shqyrtuar përgjigjen e tyre të mëtejshme.
“Hapësira ajrore izraelite dhe rajonale u rihap sot në mëngjes pasi vendi arriti me ndihmën e aleatëve të tij të kapte 99% të raketave të lëshuara nga Irani”, sipas zëdhënësit ushtarak izraelit Daniel Hagari.
“Teherani kishte nisur mbi 300 raketa të llojeve të ndryshme”, tha Hagari.
Për herë të parë në historinë e Republikës Islamike, Irani sulmoi drejtpërdrejt armikun e tij Izraelin dje në mbrëmje. Sulmi ishte një hakmarrje për vrasjen e oficerëve të lartë iranianë në Siri, në një sulm të dyshuar ajror izraelit më 1 prill.
“Nga 170 raketa pa pilot dhe më shumë se 30 raketa të lëshuara nga Irani, asnjëra nuk arriti në Izrael”, tha Hegari. “Nga mbi 120 raketa balistike, vetëm disa kaluan në territorin izraelit, ndërsa pjesa tjetër e raketave u kap”, shtoi Hagari.
Këto shkaktuan dëme të vogla në infrastrukturë në bazën e Forcave Ajrore Nevatim, e cila vazhdonte të funksiononte normalisht.
Hagari foli për arritjen strategjike shumë të rëndësishme të Izraelit në parandalimin e sulmit. Ai hodhi poshtë me forcë idenë se sulmet ajrore mund të kishin qenë pa qëllim serioz për dëmtim.
“Unë mendoj se Irani synonte të arrinte rezultate dhe nuk i arriti ato”, u tha Hagari gazetarëve. Ai vuri në dukje përdorimin e raketave balistike nga Irani si një përshkallëzim të qartë të konfliktit.
“Izraeli tani po shqyrton me kujdes hapat e tij të ardhshëm”, tha ministri i Jashtëm Israel Katz në një intervistë me radiostacionin e ushtrisë izraelite.
“Ne kemi thënë: nëse Irani sulmon Izraelin, ne do të sulmojmë Iranin. Dhe ky angazhim është ende i vlefshëm”, tha Katz.
Ai tha se çështja specifike e një përgjigjeje të mundshme do të diskutohej në kornizën e duhur nën kryesimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Presidenti iranian, Ebrahim Raisi tha se Garda Revolucionare Islamike (IRGC) i kishte “dhënë një mësim” armikut të madh të vendit, Izraelit.
“Ndëshkimi i agresorit, i cili ishte premtimi i sinqertë i liderit të fuqishëm dhe të mençur të Revolucionit Islamik, është realizuar”, tha Raisi në një deklaratë nga zyra presidenciale.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme kineze u bëri thirrje të gjitha palëve të ushtronin vetëpërmbajtje për të parandaluar një rritje të mëtejshme të tensioneve.
