Norvegjia armatos oficerët në detyrë për shkak të kërcënimeve kundër komunitetit mysliman
Policia në Norvegji ka vendosur të armatosë oficerët në detyrë pas kërcënimeve të bëra ndaj komunitetit mysliman.
Mediet lokale njoftuan se vendimi i drejtorit të përgjithshëm të policisë, i kumtuar përmes një deklarate të lëshuar gjatë fundjavës, vlen për oficerët në të gjithë vendin dhe hyri në fuqi të shtunën.
Zëdhënësi i policisë, Roar Hansen, u citua nga mediet lokale të thoshte se në Norvegji u regjistruan disa kërcënime kundër xhamive.
”Policia norvegjeze në përgjithësi nuk mban armë, por për shkak të kërcënimeve, drejtori i përgjithshëm i policisë ka vendosur që nga sot të armatosë policinë në nivel kombëtar”, thuhet në deklaratë.
Në gusht 2019, 21-vjeçari Philip Manshaus hapi zjarr në qendrën islamike ”Al Noor” në Baerum, në periferi të Oslos. Ai plagosi një person dhe më pas u ndalua nga besimtarët muslimanë.
Para sulmit, ai vrau motrën e tij të adoptuar në shtëpi dhe postoi mesazhe në internet duke lavdëruar sulmuesin në xhaminë në Christchurch, sulmuesin e sinagogës Poway dhe sulmuesin në El Paso, i cili shënjestroi latinët.
