Gjermania kundërshton akuzat e Nikaraguas për lehtësim të akteve të gjenocidit në Gaza
Padia e Nikaraguas kundër Gjermanisë ka nisur të shqyrtohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, prej së hënës. Dy seancat paraprake janë përqendruar në akuzat për lehtësim të akteve të gjenocidit, që Berlini i ka mohuar kategorikisht
Gjermania ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga Nikaragua se po lehtëson aktet e gjenocidit në Gaza, duke argumentuar se janë të pabazuara në fakte apo ligje.
Nikaragua ka paditur Berlinin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për lehtësimin e shkeljeve të Konventës së Gjenevës dhe ligjit ndërkombëtar humanitar duke ofruar armë dhe mbështetje për Izraelin.
Por kjo hasi në kundërshti, Gjermania këmbëngul se ka licencuar vetëm katër eksporte të armëve që nga tetori, tre prej të cilave kanë të bëjnë me pajisje testimi ose praktike.
16 gjyqtarë të OKB do të vendosin nëse do të pranojnë kërkesat e palës paditëse, ku kryeson ndalimi i ndihmës ushtarake gjermane për Tel Avivin.
Por avokatët mbrojtës theksuan para panelit me 16 gjyqtarë se nuk mund të vendoset që Gjermania po shkelte detyrimin për të parandaluar gjenocidin, sepse gjyqtarët nuk kanë vendosur pikë se pari që Izraeli po shkel Konventën e Gjenocidit.
Por në fazën paraprake të çështjes së ngritur në fund të vitit të kaluar nga Afrika e Jugut, trupa gjykuese e OKB-së ka thënë se është e besueshme që veprimet e Izraelit në Gaza mund të përbëjnë shkelje.
Rasti i Nikaraguas është përpjekja e fundit ligjore për të frenuar ofensivën e Izraelit nga një vend me lidhje historike me popullin palestinez, pas Afrikës së Jugut.
Përpjekja gjithashtu vjen pas thirrjeve dhe kritikave në rritje që aleatët e Izraelit të ndalojnë furnizimin e vendit me armë, teksa disa mbështetës janë kthyer në kritikë ndaj saj.
Gjykata e OKB ka të ngjarë të marrë javë për të dhënë vendimin e saj paraprak dhe çështja e Nikaraguas ndoshta do të marrë vite.


