Dështon Komisioni për Sterilizimin, Vokshi: PS kërkon ta pengojë, nuk duan të bëjnë transparencë
Deputetët e mazhorancës nuk morën pjesë sot në mbledhjen e radhës të komisionit hetimor parlamentar për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-Up në Shëndetësi.
Kryetarja e këtij komisioni, Albana Vokshi në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Komisionit, tha se “ju kemi informuar edhe herën e kaluar që në bazë të rregullores, opozita ka një hapësirë për të thirrur mbledhjet edhe kur mazhoranca nuk ka dëshirë për t’u mbledhur. Rregullorja përcakton se nëse mazhoranca nuk dëshiron, ¼ e deputetëve të një komisioni, mund ta thërrasin, mund të caktojnë ditën, orën dhe rendin”.
“Para dy ditësh ne kemi njoftuar me 7 firmat e deputetëve të opozitës se mbledhja e ardhshme do të ishte në ditën e premte ora 13:30. Është njoftuar në të gjitha mënyrat grupi i deputetëve të Partisë Socialiste, por për herë të dytë radhazi, pa asnjë arsye të shprehur, ata kanë refuzuar të paraqiten në shkelje të rregullores dhe kushtetutës”, theksoi Vokshi.
“Para se të mblidhej komisioni në ditën e parë, kam bërë një bisedë me nënkryetarin e komisionit Plarent Ndreca, ku i kam kërkuar që të miratonim një rregullore të përbashkët për menaxhimin e komisionit hetimor. Është refuzuar nga ana e mazhorancës me pretendimin se kur u miratua ligji, me mënyrë të njëanshme të PS, është vendosur që punimet e komisioneve hetimore do të vijonin bazuar në rregulloren e Kuvendit. Duke ndjekur pikë më pikë rregulloren e Kuvendit janë thirrur edhe dy mbledhjet e radhës. Pse mazhoranca refuzon? Është e qartë, Edi Ramës nuk i intereson që komisioni të vijojë punën normalisht. Kemi që në mbledhjen e dytë të këtij komisioni grupi i deputetëve të opozitë s’ka pasur të përgatitura shkresat që duhet t’i dërgohen institucioneve, që t’i lihet koha e mjaftueshme dhe aty pastaj fillon puna reale e deputetëve të këtij komisioni, por edhe ekspertëve mbi bazën e informacioneve që merren prej institucioneve të ndryshme, por jo vetëm këtu, por edhe koncesionarëve të ndryshëm edhe kontraktorëve të tyre”, tha Vokshi.
Vokshi u shpreh se “qartazi duan ta pengojnë, sepse nuk duan të bëjnë transparencë për vjedhjen dhe abuzimin e e 200 milionë euro, për 2 koncesionet e Check up dhe Sterilizimit”.
Vokshi bëri të ditur se “kemi mbledhur firmat e 7 deputetëve të opozitës për mbledhjen e radhës, ditën e martë në 10:30”.
Më tej Vokshi tha se “për të mos pritur deputetët e PS-së ne kemi firmosur 40 a më shumë shkresa dhe do t’i kërkojmë Kuvendit që t’ua adresojë institucioneve të ndryshme. Do t’i kërkoja institucioneve që në momentin që marrin shkresa, të kthejnë përgjigje dhe të mos bien pre e presionit, por të ndihmojnë në zbardhjen e kësaj afere skandaloze korruptive”.
“Shkresa e parë i është dërguar “Kryeministrisë”, më tej KLSH-së ku kemi kërkuar të gjitha llojet e auditimeve bashkë me shkresat shoqëruese për të hartuar raportet e tyre.
I jemi adresuar për procedurën ligjore edhe Ministrisë së Financave, APP dhe Ministrisë së Shëndetësisë. I jemi drejtuar ministres Alban Koçiu për fondet që i janë dhënë koncesioneve për çdo vit dhe për muajt e 2024”, tha Vokshi.
