BE e shqetësuar për “dinarin”/ Borrell: Pasoja në përditshmërinë e serbëve në Kosovë. Vendimi, i pa konsultuar
Bashkimi Europian është i shqetësuar për mungesën e konsultimeve para vendimit të Bankës Qendrore të Kosovëspër ndalimin e dinarit dhe pasojat në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.
Qëndrimin e Brukselit e ka shprehur përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në përgjigje të pyetjes së një deputeti francez në Parlamentin Europian.
“Kjo lidhet veçanërisht me ndikimin e vendimit në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave për momentin”, tha ai.
Pyetjes së Dominik Bild se çfarë planifikon të bëjë Komisioni Evropian lidhur me çështjen e themelimit të Asociacionit, vendimin e BQK-së dhe në lidhje me sistemin arsimor dhe shëndetësor për serbët e Kosovës, Borrell ka thënë se është dashur të negociohen bashkë
“Çështja e vendimit të BQK-së për operacionet me para të gatshme prek çështje që është dashur të negociohen në lidhje me Asociacionin, siç janë statusi dhe financimi i institucioneve të menaxhuara nga Serbia në Kosovë dhe integrimi i tyre në institucionet dhe kornizën ligjore të Kosovës”, theksoi Borrell.
Borrel ka theksuar qëndrimin e BE se themelimi i Asociacionit është detyrim i Kosovës sipas së drejtës ndërkombëtare dhe buron nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e cila është arritur nga Serbia dhe Kosova në dialog me ndërmjetësimin e BE-së dhe më pas është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Kosova dhe Serbia dështuan të pajtohen për çështjen e dinarit dhe edhe takimin e tretë të mbajtur të enjten në Bruksel, pas të cilit kryenegociatorët e të dy vende, akuzuan njëri-tjetrin për mungesë vullneti për të gjetur një zgjidhje. Por, Bashkimi Evropian tha se ka pasur përafrim të qëndrimeve!

