SEANCA PLENARE/ Kuvendi gati për Amnistinë, interpelancë me ministren Kumbaro, por jo me Ramën
Kuvendi zhvillon sot seancën plenare të radhës, ku pritet të miratohen disa projektligje. Si pikë e parë e rendit të ditës është një interpelancë me ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro e kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.
Ndërkaq siç dhe u lajmëruar një ditë më parë nuk do të ketë interpelancë me kryeministrin Edi Rama të kërkuar nga deputeti Gazment Bardhi,m lidhur me akuzat e tij se vëllai i kryeministrit, Olsi Rama është pjesë e grupit kriminal të përfshirë në laboratorin e drogës të Xibrakës.
Edhe pse nuk është përfshirë në agjendën zyrtare të seancës së sotme plenare, sot pritet që në rendin e ditës të përfshihet edhe projektligji për Amnistinë Fiskale, si pjesë e marrëveshjes së madhe mes Partisë Socialiste dhe Opozitës të kryesuar nga demokratët e “Rithemelimit”.
Drafti në fjalë kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash në Kuvend, ndërsa palët janë dakordësuar që të amnistohen protestuesit e arrestuar të opozitës në protestat që ajo ka zhvilluar.
Po ashtu është rënë dakord që të mos ketë amnisti për zyrtarët e lartë të dënuar nga Gjykata e Posaçme Anti-Korrupsion.
DEBATET PER AMNISTINE
Me nisjen se punimeve, Kuvendi miratoi për përfshirjen në rendin e ditës në seancën e sotme plenare projektligjin për amnistisë penale.
Deputeti i opozitës Dashnor Sula deklaroi ky ligj nuk mund të kalojë në votim pa u kaluar më parë në Komisionin e Ligjeve.
Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një akt dosido, por për një projekt ligj të rëndësishëm.
“Ne nuk na është dhënë mundësi për të dhënë amendamente. E keni kaluar në mënyrë të njëanshme me votat e mazhorancës. Dakordësia nen për nen ka shumë për të diskutuar dhe do ishte korrekte që Komisioni i Ligjeve të mblidhej”, u shpreh ai.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha në një prononcim për mediet para nisjes së punimeve të seancës plenare tha se “propozimi i PS me mbështetjen e pazarxhinjve të PS, e kthen votën atyre që i thonë vetes opozitë në votë të një aneksi të PS, një kamerdare për Edi Ramën. Së dyti jep një sinjal të qartë kundër SPAK-ut”.
Sipas tij, “kjo është aleanca anti-SPAK, sepse sinjali është ju i dënoni zyrtarët, ne i lirojmë me amnisti”.
Kreu i grupit parlamentar të “Rithemelimit”, Gazmend Bardhi tha se “asnjë zyrtar i dënuar nga GJKKO nuk përfiton amnisti”.
Ai deklaroi në Kuvend se janë përfshirë të gjitha rastet e protestuesve të opozitës e shoqërisë civile që përfitojnë.
Por këto pretendime janë kundërshtuar si nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ashtu edhe nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi.
“Alibeaj nuk duhet të vazhdoni të bëni më politikë me këtë projektligj sepse është shumë komode të bësh politikë nga kjo sallë. Lexojeni ligjin se jeni juristë. Në projektligj janë akomoduar edhe kërkesat e opozitës për protestuesit, por jo siç i kërkuat ju protestuesit 2018-2020, por ata që kanë protestuar në këtë vend që ndiqen penalisht janë në hetim apo gjykim nga drejtësia. Kjo është e vërteta e kësaj amnistie.
Kur të vij radha për ta diskutuar në parim apo nen për nen është i lirë secili deputet ta marr amendamentin e propozuar nga Bardhi dhe variantin e projektligjit që ka kaluar në Komisionin e Ligjeve, tekstin integral ku akomodohen këto amendamente sepse nuk jemi duke bërë asnjë shpikje. E kemi çuar nga 3 vjet për burrat në 4, nga 4 në 5 për gratë dhe kemi thënë zbritje dënimi në 1 vit e gjysmë për burrat e dy vjet për gratë duke marrë në konsideratë të gjtiha veprat që ndalohen.
Po del kjo amnisti 8 muaj në parlament sikur është hera e para që po votohet këtu, sikur kemi bërë shkelje. Në nderin e këtij parlamenti duhet të ketë një amnisti të pjesshme. Po bëjmë fjalë për një amnisti për vepra të lehta penale. Vetëm 5% të veprave që kap Kodi Penal kap kjo amnisti 95% të tjerat nuk i kap kjo amnisti”, tha Manja.
Më pas Kuvendi shqyrtoi:
- projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9154, datë 6.11.2003, “Për arkivat””;
- projektligjin “Për disa ndryshime në Ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar;
- projektligjin “Për burimet ujore”;
- projektligjin “Për disa ndryshime në Ligjin nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
- si dhe projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 15/2017, datë 16.2.2017 “Për arsimin dhe formimin professional në Republikën e Shqipërisë”.
Kuvendi pritet të votojë edhe:
- projektvendimin “Për zgjedhjen Komisioner në Seksionin për Policinë, Shërbimin Sekret, Burgjet, Forcat e Armatosura dhe Pushtetin Gjyqësor në institucionin e Avokatit të Popullit”;
- projektvendimin “Për zgjedhjen Komisioner në Seksionin për Organet e Administratës Qendrore, të Pushtetit Vendor dhe të të Tretëve që Veprojnë për Llogari të Tyre në institucionin e Avokatit të Popullit”;
- si dhe projektvendimin “Për propozimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik”.
RENDI I DITES





