“Ajri” e vetmja shpresë/ 40 mijë vakte në Gaza, kjo është ndihma ushqimore e amerikanëve
Vijojnë ndihmat ushqimore amerikane për banorët në Gaza. 40 mijë vakte janë ngarkuar në avionët ushtarakë duke shënuar misionin e 18 të forcave amerikane. Tentativat për marrjen e ushqimeve kanë rezultuar fatale për dhjetëra persona.
Një milje në lindje të Gazës po vijojnë ndihmat ushqimore nga ajri. Një avion ushtarak amerikan ngarkoi 80 arka me rreth 40 mijë vakte ushqimore.
Ky është misioni i 18-të i kryer nga forcat amerikane, por tashmë ushqyerja për banorët e Gazës është bërë një operacion kompleks dhe shumë i rrezikshëm. Shumë kombe kanë marrë pjesë në këtë operacion ndihme, vende si Franca, Gjermania, Jordania, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Zona tashmë e rrethuar nga lufta detyron avionët e ndihmave të kryejnë një rrugë vajtje-ardhje gjashtë-orësh nga Doha.
Kjo mënyrë ndihme është cilësuar si më efikase se mënyrat e tjera por nga ana tjetër është më e vështirë për tu kontrolluar.
Në fillim të kësaj jave, 12 persona mendohet se janë mbytur teksa po përpiqeshin të merrnin pakot e ndihmave që ranë në det. Gjashtë të tjerë thuhet se u shtypën në rrëmujën për të arritur tek pakot ushqimore të mbërritura me parashutë.
Një avion ushtarak mund të dëgjohet për milje larg, që do të thotë se turmat mblidhen shpejt për ta ndjekur atë.
Dëshpërimi i shtyn shumë njerëz të ndërmarrin rreziqe të mëdha për të tërhequr ndihmën - dhe shumë të tjerë largohen pa asgjë.
Hamasi thuhet se ka kërkuar ndalimin e fluturimeve pasi numri i viktimave është rritur, duke i quajtur ato "të padobishme" dhe një "rrezik real për jetën e civilëve të uritur".

