“Lule Sajza” në skenë, regjisori Endri Çela: Shfaqja teatrale vjen si dëshmi e persekutimit komunist
Për herë të parë në teatrin shqiptar vjen një premierë në formën e teatrit dokumentar. Bëhet fjalë për shfaqjen “Lule Sajza”, e cila sjell dëshmi të të mbijetuarve të kampit të Tepelenës.
Në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, do të vijnë histori të vërteta, gati të pabesueshme, një kalvar i gjatë vuajtjesh dhe gjurmë plagësh që mbart historia shqiptare.
Regjisori i veprës që do të sjellë në skenë Rajmonda Bulkun, Adriana Tolkën dhe Valentina Mytevelin.
I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” Endri Çela theksoi se për realizimin e kësaj shfaqjeje ka përmbledhur materialet e nevojshme që dëshmojnë realitetin e periudhës komuniste.
“Është një teatër dokumentar, që është një zhanër i ri i dokumentareve në botë. Teatri dokumentar është i bazuar në dëshmië, në histori të vërteta dhe më pas është në dorën e regjisorit se sa fiction do të fusë në brendësi të shfaqjes. Bazohet në dëshmitë e të persekutuarve nga komunizmi.
Është bërë një punë me shumë dashuri si nga aktorët ashtu dhe nga bashkëpunëtorët përfshi dhe mua. Eksperienca është e veçantë sepse kemi të bëjmë me historinë dhe kopjimin e dëshmive të personazheve që janë gjallë.
Kam pasur kënaqësi që kam pasur Rajmonda Bulkun në staf, është një mbështetje shumë e madhe kjo dhe falë përvojë së saj. Po ashtu kam pasur kënaqësi të bashkëpunoj me Adriana Tolkën, ndërsa me Valentina Mytevelin, ajo është një vajzë që premto shumë dhe ka ardhur nga Rusia ku ka bërë shkollën, dhe ajo është një koreografe shumë e mirë por ka dhe aktrimin. Ajo bën gjithçka”, theksoi ndër të tjera regjisori Endri Çela.
SHFAQJA
Shfaqja do të sjellë dëshmi të shkëputura nga “Zërat e Kujtesës”, bazuar e frymëzuar edhe nga shkrimet e Agron Tufës, Lek Pervizit, Fatbardha Saraçit (Mulleti) dhe Kastriot Dervishit.
“Lule Sajza” vjen në bashkëpunim me “Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit” dhe mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit.



