Tramp thotë se princi Herri mund të dëbohet nëse ka gënjyer autoritetet për përdorimin e drogës

Ish-presidenti Donald Tramp ka thënë se nëse rizgjidhet president në muajin nëntor, princi Herri i Britanisë së Madhe nuk do të gëzojë privilegje të veçanta, madje mund të dëbohet nga SHBA-ja nëse ka shkelur rregullat.

Deklarata u bë gjatë një interviste televizive, ku ish-kreu i shtetit 77-vjeçar u pyet rreth librit të princit, ku ka pranuar se më i ri kishte përdorur lëndë narkotike, si kokainë, kanabis dhe kërpudha psikedelike.

Sipas ligjit amerikan, përdorimi i drogës është arsye për refuzimin e aplikimit për vizë në SHBA, ku princi Herri jeton që prej vitit 2020.

"Do e shohim nëse dinë diçka rreth drogës dhe nëse ka gënjyer do të duhet të ndërmarrin veprimet e duhura. Këtë mund ta kishin ditur kohë më parë," u shpreh z. Tramp.

Edhe më herët, ish-presidenti republikan ka thënë se "nuk do e mbronte" princin Herri, sepse "tradhtoi mbretëreshën [Elizabeta]" dhe po të rizgjidhet kryetar shteti Herri "do e ketë fatin në dorën e tij".

Duka i Saseksit ka pranuar se ka qenë përdorues i kokainës dhe i marijuanës, dhe se kanabisi e ndihmonte të kalonte traumën e vdekjes së nënës së tij, Ledi Dianën.