SHBA, një i vrarë, pesë të plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një klub nate
Një person u vra dhe pesë të tjerë u plagosën gjatë të shtënave me armë zjarri brenda një klubi nate në Indianapolis sot në mëngjes, tha policia, sipas CNN.
“Të shtënat u raportuan brenda një biznesi në lagjen Broad Ripple të Indianapolis rreth orës 1:20 të mëngjesit”, tha komandanti i qarkut verior të Policisë Metropolitane të Indianapolis, Matthew Thomas.
“Policia nuk ka identifikuar ende të dyshuarin e ngjarjes që nga mëngjesi i sotëm. Është ende e paqartë se kush e ka hapur zjarrin”, u tha Thomas gazetarëve.
“Gjithçka që duhet është një person me një armë zjarri për të prishur paqen dhe argëtimin që normalisht shijohet nga të gjithë vizitorët tanë”, tha Thomas.
Autoritetet po shqyrtojnë pamjet e videos të incidentit dhe po marrin në pyetje dëshmitarët.
“Është shumë herët për të nxjerrë një përfundim të hetimit”, tha Thomas.

