Peskov: Të gatshëm për të biseduar për Ukrainën pas deklaratës së papa Françesku

Moska e konsideroi deklaratën e diskutueshme të papa Françeskut për luftën në Ukrainë, jo si një thirrje për kapitullimin e Ukrainës, por si një lutje për negociata, tha sot zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, sipas medias ruse.

“Presidenti Vladimir Putin ka shprehur vazhdimisht vullnetin për të negociuar. Kjo është rruga e preferuar”, tha Peskov.

Në një intervistë për televizionin publik zviceran të regjistruar në fillim të shkurtit, papa Françesku tha se aktori më i fortë ishte ai që mendon për njerëzit dhe ka guximin per te ngritur “flamurin e bardhë” dhe negocion.

Ai nuk përmendi emrin e Ukrainës apo Rusisë në deklaratën e tij, të cilat dolën në dritë vetëm gjatë fundjavës. Intervista e plotë do të transmetohet më 20 mars. Deklarata e papës tërhoqi kritika të ashpra nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Peskov akuzoi Perëndimin për përkeqësimin e konfliktit, duke iu referuar veçanërisht një deklarate muajin e kaluar nga Emmanuel Macron, në të cilin presidenti francez nuk përjashtoi dërgimin e trupave tokësore në Ukrainë.

“Kjo është një linjë e rrezikshme, një linjë shumë e rrezikshme”, tha Peskov.

Ai shtoi se Rusia po e ndiqte nga afër situatën dhe se Moska kishte informacione se në Ukrainë kishte njerëz që cilësoheshin si këshilltarë, por që ishin të lidhur drejtpërdrejt me NATO-n.