Përplasi makinën në portat e Pallatit Buckingham, arrestohet burri në Londër
Policia britanike njoftoi se një burrë është arrestuar pasi një automjet u përplas në portat e Pallatit Buckingham në Londër.
Imazhet e paqarta të postuara në rrjetet sociale tregojnë një makinë në portat e përparme të pallatit.
Mediat britanike raportuan deklaratat e një dëshmitari okular, i cili tha se dëgjoi “një zhurmë të madhe”.
Policia njoftoi se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
“Policët e armatosur kanë arrestuar në vendngjarje një person me akuzën e dëmtimit të pasurisë së huaj.
Ai u dërgua në spital.
Nuk ka raportime për të lënduar”, tha policia e Londrës në një deklaratë.
Hetimet po vijojnë për zbardhjen e rrethanave.
Pallati Buckingham njoftoi se asnjë anëtar i familjes mbretërore nuk ishte brenda pallatit në kohën e incidentit dhe se po punohej për të riparuar dëmtimet në portat.
