Miratohet me 780 vota pro/ Franca, vendi i parë në botë që njeh abortin si të drejtë kushtetuese

Për herë të parë në historikun e jurisprudencës botërore aborti është kthyer një e drejtë kushtetuese dhe kjo ka ndodhur në Francë, ditën e sotme.

Kjo e drejtë që është çimentuar në Kushtetutën franceze u miratua nga parlamenti me 780 vota pro dhe 72 kundër në një kongres të rrallë parlamentar në Pallatin e Versajës, pas miratimit të projektligjit në Senat.

Për këtë vendim historik ka reaguar dhe presidenti francez Emmanuel Macron, i cili e ka quajtur këtë zhvillim një krenari për Francën, duke e komentuar si një mesazh universal.

Macron është zotuar vitin e kaluar se do ta përfshijë të drejtën e abortit – hap ligjor në Francë prej vitit 1974 – në Kushtetutë, pasi Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara e pati përmbysur më 2022 ligjin që e mundëson këtë procedurë. Aktualisht është në dorën e secilit shtet në SHBA që të vendosë për ndalim apo lejim të procedurës.

Dhoma e ulët e Parlamentit të Francës e ka miratuar me shumicë vendimin që e bën abortin “liri të garantuar” në Kushtetutë. Përmes një votimi historik më 28 shkurt, më shumë se 80 për qind e votuesve në Senatin e dominuar prej konservatorëve ia kanë dhënë dritën e gjelbër projektligjit.

Tani dokumenti pritet të kalojë edhe në fazën e fundit në një takim të rrallë që zhvillohet të hënën. Tre të pestat e deputetëve do të duhet të votojnë për projektligjin, në mënyrë që ai të miratohet.

Vendimi i parë ndonjëherë i tillë

Kili e ka përfshirë të drejtën për abort në një draft më 2022, mirëpo votuesit në referendum nuk kanë votuar për miratim të tij. Disa shtete aludojnë se e gëzojnë këtë të drejtë. Kushtetuta e Kubës u garanton grave “të drejtat seksuale dhe ato të riprodhimit”.

Edhe disa shtete të Ballkanit kanë trashëguar versione të Kushtetutës së ish-Jugosllavisë që përcaktonte se është e drejtë e njeriut për të vendosur “për lindjen e një fëmije”. Shtetet tjera e përmendin abortin në Kushtetutë, mirëpo e lejojnë vetëm në situatë të caktuara”, ka thënë Hoctor.

Në Kenia, shembull, Kushtetuta thotë që “aborti nuk është i lejuar përveç nëse profesionistët e trajnuar shëndetësorë vlerësojnë se ekziston nevojë urgjente për trajtim, ose nëse shëndeti i nënës është në rrezik, ose nëse lejohet me ndonjë ligj tjetër”.

Aborti është legalizuar në Francë më 1974 përmes një ligji të shtyrë përpara prej Simone Veilit, atëbotë ministre e Shëndetësisë, një grua ikonë për të drejta të grave. Pjesa më e madhe e popullit francez e përkrah vendimin për të siguruar një mbrojtje shtesë për këtë drejtë.

Një sondazh i kryer prej kompanisë franceze IFOP, në nëntor të vitit 2022, ka gjetur se 86 për qind e popullit francez e përkrah idenë e përfshirjes së ligjit në Kushtetutë. Politikanët e krahut të majtë dhe ata të qendrës e kanë mirëpritur reformën, derisa senatorët e krahut të djathtë kanë thënë privatisht se ndihen nën presion për ta miratuar atë.

Një deputete ka thënë se vajzat e saj nuk do ta vizitonin më kurrë për Krishtlindje, nëse ajo nuk do të votonte për projektligjin.

Herën e fundit kur është bërë thirrje për ndryshim të Kushtetutës ka qenë viti 2008, kur deputetët i kanë miratuar disa reforma nën presidencën e Nicolas Sarkozyt. Në mesin e atyre ndryshimeve ka qenë kufizimi i mandateve presidenciale në dy të​ tillë, si dhe mbrojtja dhe pavarësia më e madhe për mediat.