Presidenti Bajden "i aftë për punë" dhe "shumë i fortë" pas kontrollit mjekësor

Doktori i presidenti amerikan, Xho Bajden (o. Joe Biden), ka thënë se ai është "i aftë për punë" dhe nuk ka "asnjë shqetësim" pas ekzaminimit mjekësor të përvitshëm.

Shëndeti i z. Bajden ka qenë temë diskutimi përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, dhe kreu i shtetit iu nënshtrua vlerësimit të mërkurën.

Mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Dr. Kevin O Konor (o. O'Connor) tha se z. Bajden "kryen plotësisht të gjitha përgjegjësitë e tij pa asnjë përjashtim ose kompromis".

"Gjithçka është e shkëlqyer," tha z. Bajden.

Presidenti 81-vjeçar e kreu kontrollin fizik në spitalin ushtarak të Merilandit dhe pas rezultateve u shpreh se "nuk kam asgjë ndryshe nga viti i kaluar" dhe mjekët "mendojnë se dukem shumë i ri".

Doktori i tij tha se presidenti është "i shëndetshëm" dhe "i fortë" dhe "vazhdon të punojë së paku pesë ditë në javë". Ai theksoi se z. Bajden vazhdoi të trajtohet për fibrilacion atrial (rrahje të parregullta të zemrës) për të cilën ai merr një hollues gjaku, si dhe për refluks gastroezofagal dhe hiperlipidemi.

Sipas raportit, prej verës së kaluar z. Bajden filloi të përdorë një aparat për rrugët e frymëmarrjes ose CPAP, makineri që vihet në punë gjatë natës për të trajtuar apnenë.

Një "kontroll jashtëzakonisht i detajuar neurologjik" i presidentit amerikan nuk tregoi asnjë shenjë goditjeje në tru ose Parkinson.

Shëndeti i presidentit u vendos në qendër të vëmendjes në fillim të muajit, pasi një hetues zbuloi se z. Bajden ruante në mënyrë të pasigurt dokumente të klasifikuara dhe sugjeroi se ai vuante nga fuqia mendore për shkak të moshës së tij.

Raporti prej 345 faqesh e përshkruante presidentin si "një burrë të moshuar simpatik, mirëkuptues, me kujtesë të dobët".

"Kujtesa ime është shumë në rregull," u përgjigj z. Biden. "Unë kuptoj mirë dhe jam i moshuar. Unë e di se çfarë po bëj. E kam ngritur këtë vend përsëri në këmbë."

Sondazhet tregojnë se mosha e presidentit Bajden shihet si një pikë shqetësuese nga votuesit amerikanë përpara zgjedhjeve të nëntorit për Shtëpinë e Bardhë.