Samiti për Ukrainën/ Zelensky në mesnatë zbret në Tiranë, në Rinas e pret ministri Hasani. Agjenda dyditore

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky pritet të mbërrijë mbrëmjen e së martës në Tiranë në kuadër të samitit që do të mbahet të mërkurën për Ukrainën. 

Në mesnatë Presidenti Zelensky do të pritet në aeroportin e Rinasit nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani, dhe më pas do të qëndrojë në një hotel afër Pallatit të Kongreseve në kryeqytet.

Të nesërmen, në orën 09:00, është parashikuar që ai të pritet në një ceremoni nga kryeministri Edi Rama. Pritja zyrtare e delegacioneve të vendeve të Evropës Juglindore që do të marrin pjesë në samitin për Ukrainën do të nisë në orën 11:00.

Mësohet se BE do të përfaqësohet nga presidentja e KE-së, Ursula Von der Leyen. Kosova dhe Serbia do të përfaqësohen nga presidentët Vjosa Osmani dhe Aleksandër Vuçiç.

Sa i takon Greqisë, kryeministri Kyriakos Mitsotakis nuk do të marrë pjesë. Sakaq, kujtojmë që më herët, policia njoftoi një sërë masash për mbarëvajtjen e samiteve.