“Ndani turizmin me mjedisin!”/ Konfindustria: Për ndërtimin e zonave të mbrojtura duhen dy ministri

Konfindustria ka kërkuar prej qeverisë ndarjen e ministrisë së mjedisit nga ajo e turizmit. Në deklaratë thuhet se ndryshimi në ligjin për zonat e mbrojtura e bën të domosdoshme që një strukturë të shqyrtojë investimet dhe një tjetër të kujdeset për ndikimin në natyre dhe te banorët ku parashikohet zhvillimi

Ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, sipas Konfindustrisë duhet të shoqërohen me ndarjen mes ministrisë së mjedisit dhe të turizmit.

Përmes një deklarate për mediet, Konfindustria ka apeluar kryeministrin krijimin e dy institucioneve.

Në deklaratën për mediet thuhet se investimet dhe ndikimi në mjedis duhen parë si dy zhvillime më vete.

Një prej tyre do të duhet të kishte në kompetencë investimet që do të thithen në zonat ku do të lejohen ndërtimet.

Ndërsa ndikimi në mjedis, sipas Konfindustrisë, nuk mund të jenë në të njëjtën varësi pasi në vëmendje do të ketë pasojat e veprimeve.

Gjithashtu, dhe kërkesat e BE për zonat e mbrojtura dhe ndikimi që do të sjellë te banorët duhet të shihen nga një strukturë e ndarë.

Ndryshimi në ligjet për zonat e mbrojtura u miratua të enjten e shkuar mes debate të opozitës dhe mazhorancës.

Madje edhe shoqëria civile zhvilloi një protestë duke u shprehur kundër prekjes së tyre nga urbanizimi.

Nga ana e mazhorancës në deklarata u theksua se nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në to, por se struktura akomoduese apo dhe të tjera do të lejohen në nën zona, çka sipas tyre do të shoqërohet edhe me rritje të numrit të pushuesve.